Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Abdixhiku për masat e BE-së: Kosova nuk ka qenë kurrë më keq ndërkombëtarisht se sot

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pasi Bashkimi Evropian ka ndërmarrë disa masa ndaj Kosovës, për shkak se ka konsideruar se nuk janë ndërmarrë veprime për shtensionim të situatës në veri të Kosovës, hapa të cilët janë kërkuar vazhdimisht nga përfaqësuesit e BE-së.

Abdixhiku ka thënë se masat ndaj Kosovës janë avancim për Serbinë.

“Sanksione Kosovës, avancim për Serbinë. Si qenka kjo fitore për ne? Teksa ne përjashtohemi nga programet ushtarake me NATO-n; Serbia vazhdon misionet paqeruajtëse me ta” – ka shkruar Abdixhiku.

“Teksa ne humbasim nga programi 7.5-miliardësh për zhvillim digjital, shtetet e rajonit ecin me hapa të mëdhenj. Kam takuar në vazhdimësi biznese nga komuniteti i IT-së, punëdhënës të jashtëzakonshëm, me potencial dhe më të madh. Sot, humbasin ata dhe të rinjtë që do të punësonin në vazhdimësi”- shtoi ai.

Kryetari i LDK-së është shprehur se kryeministri Albin Kurti dhe politika e tij nuk e bën Kosovën shtet evropian, teksa shton se vendi “nuk ka qenë kurrë më keq ndërkombëtarisht se sa sot”.

“Albin Kurti dhe politika e tij nuk e bën dot Kosovën shtet evropian. Kosova nuk ka qenë kurrë më keq ndërkombëtarisht se sa sot. Serbia nuk ka pasur kurrë më shumë përkrahje se sa tani. Koha e fundit për një rrugë të re pa Kurtin dhe politikën e tij të izolimit”- ka deklaruar Abdixhiku.

Bashkimi Evropian ka marrë disa masa për Kosovën për shkak të mos marrjes së veprimeve për shtensionim të situatës në Veri të Kosovës, hapa të cilët ishin kërkuar në fillim të qershorit nga përfaqësusi i lartë për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell.

Në një përgjigje për BIRN, një zëdhënës i BE-së thotë se është pezulluar përkohësisht puna në organet punuese në kuadër të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, dhe po ashtu Kosova nuk do të ftohet në takimet të nivelit të lartë dhe vizitat dypalëshe do të pezullohen, përveç atyre që kanë në fokus adresimin e tensioneve në veri.

“Kemi pezulluar përkohësisht punën e organeve të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Kosova gjithashtu nuk do të ftohet në ngjarje të nivelit të lartë dhe vizitat dypalëshe do të pezullohen, përveç atyre të fokusuara në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Programimi i fondeve për Kosovën në kuadër të ushtrimit programor IPA 2024 është vënë gjithashtu në pritje. Propozimet e paraqitura nga Kosova në kuadër të Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (ËBIF) nuk janë dorëzuar për shqyrtim në Bordin e ËBIF më 29-30 qershor”- ka thënë zëdhënësi për BIRN.

Zëdhënësi thotë se për këto masa, BE ka njoftuar institucionet e Kosovës më 28 qershor, teksa shton se masat janë plotësisht të kthyeshme në varësi të zhvillimeve dhe vendimeve të kryeministrit Albin Kurti.

Shtensionimi i situatës, zgjedhjet e reja dhe rikthimi në dialog janë tri pikat e përmendura nga ndërkombëtarët si kërkesa për Kosovën dhe Serbinë.

Tensionet në veri të Kosovës nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, hynë në ndërtesat komunale me asistimin e Policisë. Për të kundërshtuar këtë, serbët kanë mbajtur protesta.

BE vendos disa masa ndaj Kosovës: Kemi njoftuar edhe Qeverinë