Abdixhiku pas aferës së rezervave: Kryeministri i dha miliona euro të buxhetit mikut të tij me tender veçmas për të

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, përmes një videomesazhi ka reaguar pas arrestimeve nën dyshimin për keqpërdorimin e rezervave shtetërore.

Abdixhiku ka thënë se kryeministri Albin Kurti i ka dhënë miliona euro të buxhetit mikut të tij me tender veçmas për të.

Sipas tij, Qeveria po atakon mediat sepse zbuluan një skandal të tillë, dhe prokurorinë sepse arreston keqbërësit e tillë.

“Tenderave për miq i kemi thënë gjithnjë korrupsion! Marrjes së përqindjeve gjithmonë hajni! Frikësimit të gjyqtarëve kapje e zaptim! Asgjë mangut sot”- ka thënë ai.

Në mëngjesin e 18 gushtit, me urdhër të Prokurorisë Speciale janë kryer arrestime dhe bastisje për disa orë në zyret e MINT dhe pronat e Ridvan Muharremit.

Bastisjet dhe arrestimet erdhën pas publikimit të audioincizimeve të portalit ‘Nacionale’ për rezervat shtetërore.

Në dosjen 12-faqëshe të Prokurorisë të cilën e ka siguruar KALLXO.com janë përshkruar me detaje veprimet dhe mosveprimet e tre të dyshuarve, dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) dhe një afarist, nën dyshimin për keqpërdorimin e rezervave shtetërore.

Gjithmonë sipas dosjes së Prokurorisë, thuhet se ka qenë i paraparë furnizimi në sasi prej 10 mijë tonë me çmim 4,834,778 euro; 200 mijë litra vaj dhe 120 mijë kilogramë sheqer, me çmim prej 276 mijë euro, shuma këto të paguara në tërësi në formë të avansit.

Mirëpo, Prokuroria ka potencuar se buxheti i Kosovës është dëmtuar mbi 600 mijë euro pasiqë përkundër faktit se pagesat janë realizuar, MINT si autoritet kontraktues ka pranuar vetëm 9.947.5 tonë grurë, pra 52.5 tonë më pak se sasia e kontraktuar, ndërsa vaji dhe sheqeri nuk janë sjellë fare.

Afera me rezervat shtetërore – Çfarë thotë dosja e Prokurorisë për Ridvan Muharremin?