Stema e Komunës së Mitrovicës së Veriut

A do të mbrohet flamuri i Kosovës e stema e Komunës së Mitrovicës së Veriut pas zgjedhjeve të tetorit?

Ndonëse u votua si pikë e rendit të ditës vendimi për mbrojtjen e simboleve komunale, kishte dilema se do të hidhet poshtë nëse ndonjë asamble tjetër do të vijë pas zgjedhjeve të 12 tetorit.

Nexhat Uglanin, kryesues i Kuvendit Komunal në Mitrovicë të Veriut, tha se kushdo që merr pushtetin do të duhet të zbatonte vendimin e sotëm.

“U votua sipas kuvendit. Ata që do të jenë pjesë e kuvendit në të ardhmen mendojnë ta cenojnë këtë vendim. Ne i kemi kryer obligimet ligjore, simbolet duhet me i mbrojtë kushdo që vjen”- tha kryesuesi.

Anipse votoi pro këtij vendimi, Betim Osmani, asamblist nga Iniciativa Qytetare, ishte skeptik nëse do të mbrohen apo jo këto simbole në të ardhmen.

“Më mirë kish qenë ta bëni një rregullore. Secila asamble e ka të drejtën e vet, me ia vendos cilëndo. Me këtë vendim nuk kryhet punë kurrgjë hiç sepse nuk ia mohon të drejtën askush asamblesë së ardhshme për ta vendosur çfarëdo simboli në komunën e vet”- u shpreh Osmani.

“Ne s’mundemi me e sjellë një rregullore në kuadër të kuvendit, sepse është Ligji për Mbrojten e Simboleve. Po ashtu edhe mbrojtja institucionale e flamurit të Republikës së Kosovës në çdo instuticion”- iu kundërpërgjigj kryesuesi Uglanin asamblistit Osmani.

Simbole komunale në këtë Komunë sipas të pranishmëve janë stema e Komunës dhe flamuri i Kosovës.

Komuna e Mitrovicës së Veriut nuk kishte një stemë sikurse që kanë shumica e komunave në Kosovë.

Ndërkaq, më 28.06.2024, në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut u përzgjodh një e tillë që tashmë është e vendosur në këtë institucion.

Kërkesa erdhi nga ekzekutivi dhe kryetari i Komunës, Erden Atiq, i cili asokohe propozoi si rend dite stemën e Komunës së Mitrovicës së Veriut si dhe statutin e ri të kësaj Komune.

Lumenjtë e Mitrovicës dhe miniera e Trepçës janë simbolet në stemë.

Komuna e Mitrovicës së Veriut ende pa stemë, kjo do të jetë figura simbolike që do ta përfaqësojë këtë komunë – FOTO