640 euro gjobë të akuzuarit për sulmin ndaj ekipit të Nacionales

Gjykata Themelore e Prizrenit e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar Agim Kopresh nën akuzën për sulm ndaj ekipit të gazetës “Nacionale” në protestën kundër festivalit të filmit DokuFest.

Protesta e mbajtur më 11 gusht 2023, ishte “revoltë” ndaj performancës së mbajtur në këtë festival në përkrahje të komunitetit transgjinor.

Agim Kopresh në shqyrtimin fillestar ka pranuar fajësinë dhe ndaj tij u shqiptua dënimi me gjobë në shumën pren 1 mijë euro ku do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim.

Në këtë mënyrë i akuzuari obligohet të paguajë shumën e mbetur të dënimit prej 640 euro.

Ky vendim u mor të mërkurën nga gjykatësi i çështjes Luan Berisha.

Sipas Prokurorisë i pandehuri Agim Kopresh akuzohet për veprën penale të sulmit.
Në aktakuzë thuhet se Agim Kopresh, në sheshin “Shatërvan”, saktësisht përballë xhamisë “Sinan Pasha” në Prizren me dashje përdorë forcën ndaj të dëmtuarve Vullnet Krasmiqi dhe Arbër Latifi.

Tutje thuhet se derisa i dëmtuari Vullnet Krasniqi në cilësinë e gazetarit ishte duke intervistuar qytetarët lidhur me protestën pasi ia ofron mikrofonin të pandehurit Agim Kopresh, me qëllim për ta intervistuar i pandehuri në shenjë revolte e shtynë me duar të dëmtuarin dhe i drejtohet me fjalët “ik o pedofil se po të…”.

Pasi protestuesit bëjnë rezistencë aty afrohet edhe i pandehuri Agim Kopresh i cili sërish e sulmon të dëmtuarin Vullnet Krasniqi duke e shtyrë me duar furishëm e pastaj e sulmon edhe të dëmtuarin Arbër Latifi, i cili në atë moment ishte duke xhiruar me kamerë ku e godet dy-tre herë në pjesën e pasme të qafës por që nga ky sulm nuk kishin pësuar lëndime të dukshme trupore, sipas prokurorisë.

Me këtë sipas prokurorisë i njëjti ka kryer veprën penale sulmi.

Ndërkaq, i akuzuari i dytë, Enver Kabashi nuk e ka pranuar fajësinë për çka procedura ndaj tij është veçuar dhe do të vijojë më tej.

Protesta e mbajtur më 11 gusht 2023, ishte “revoltë” ndaj performancës së mbajtur në këtë festival në përkrahje të komunitetit transgjinor.

Gjatë kësaj proteste ishte sulmuar fizikisht edhe ekipi i gazetarëve të gazetës “Nacionale” derisa, KALLXO.com ka siguruar pamje kur një protestues tentonte t’i pengojë gazetarët që po raportonin nga protesta.

Raportimet e tjera lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë Link.