Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

369 pacientë me Sklerozë Multipe marrin trajtim në ShSKUK

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ka njoftuar se momentalisht në Kosovë për Sklerozë Multiple marrin trajtim gjithsej 369 pacientë.

ShSKUK ka njoftuar se gjatë vitit 2021, kanë qenë 39 raste të reja që janë diagnostikuar për herë të parë me këtë sëmundje dhe e kanë nisur trajtimin.

“Njësia e Sklerozës Multiple në Klinikën e Neurologjisë ka ofruar për gjatë vitit 2021 shërbime ambulantore dhe spitalore për diagnostikimin dhe trajtimin e rasteve të reja me këtë sëmundje”, thuhet në njoftim.

Po ashtu thuhet se është bërë identifikimi dhe rekrutimi e të gjithë pacientëve në Kosovë të diagnostikuar në vitet paraprake, por të cilët në mungesë të terapisë, nuk kanë qenë në gjendje të trajtoheshin në mënyrë adekuate me terapinë specifike. Por që tani terapia është siguruar nga Ministria e Shëndetësisë.

Skleroza Multiple është sëmundje e sistemit nervor, e cila paraqitet me ankesa dhe dhimbje të ndryshme, të cilat vijnë kohë pas kohe. Ankesat tipike të kësaj sëmundje janë: ligështimi (dobësimi) në duar apo këmbë; ndjenja e të qenit të pirë (shtangur) dridhjet, artikulimi i paqartë dhe pengesa në shikim.