Bordi i katërt drejtues i Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës. Foto: Ministria e Shëndetësisë, 3 maj 2023

10 muaj pas emërimit, bordi i ShSKUK-së përcakton objektivat me plan të punës

Bordi i Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës ka miratuar planin e punës, 10 muaj pas emërimit të tij, përmes të cilit synon ngritjen e performancës së punës, e cila referuar planeve vjetore të mëhershme është vlerësuar si jo e mirë.

Disa prej rezultateve që ky bord synon t’i arrijë deri në kryerjen e mandatit 3-vjeçar janë: furnizimi i qëndrueshëm me barna, reduktimi i listave të pritjes, kontrolli dhe parandalimi i infeksioneve spitalore, avancimi i shërbimeve të reja, përmirësimi i cilësisë së shërbimeve shëndetësore, rritja e transparencës dhe llogaridhënies, furnizimi me pajisje mjekësore, zvogëlimi i rezistencës antimikrobike, rritja e shfrytëzimit të burimeve njerëzore, zvogëlimi i referimeve për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore, e të tjera.

Ky plan përfshin tri objektiva: shërbime shëndetësore cilësore dhe të sigurta, shërbime të qëndrueshme financiare dhe administrative dhe shërbimet arsimore e kërkimore – shkencore dhe 28 rezultate.

Aktivitetet përmes të cilave planifikohet të arrihen këto ndryshime nuk janë përfshirë në plan. Aty thuhet se aktivitetet varen nga mundësitë buxhetore në dispozicion të pasqyruara në buxhet.

“Referuar planit vjetor të punës të SHSKUK-së për vitin 2022 (QKUK dhe Spitalet e Përgjithshme) në përgjithësi ka një performancë jo të mirë referuar indikatorëve kyç të performancës (si numrin e pacientëve të shtrirë, operacionet, vizitat ambulantore, shërbimet laboratorike, dhe radiologjike, numrin e dializave, shërbimet tjera diagnostike, shërbimet tjera të veçanta, dhe shfrytëzueshmërinë e kapaciteteve dhe mesatarja e ditëve të shërimit), ku kohëzgjatja mesatare e shërimit është 5.1, dhe shfrytëzimi i kapaciteteve është 56% në nivel të SHSKUK” – thuhet në këtë plan.

Edhe të dhënat e raportit të punës për periudhën janar – qershor 2023 nuk kanë diferencë, pasi që mesatarja e ditëve të shërimit për pacient është 5.1 ditë e shfrytëzimi mesatar i kapaciteteve është 58%.

Përmirësimi i këtyre shifrave janë po ashtu pjesë të rezultateve të synuara.

Ky plan thotë se infeksionet e marra nga spitali janë ende sfidë dhe paraqesin një problem serioz që duhet trajtuar menjëherë.

“Mungesa e filtrave në sallat e operacionit, mungesa e uniformave dhe këpucëve adekuate për stafin e sallave të operacionit, mungesa e Procedurave Standarde Operative (PSO) veçmas për njësitë e kujdesit intensiv dhe blloqet operative, furnizimet e pamjaftueshme me mjete higjienike dhe dezinfektuese janë disa nga mangësitë që pritet të shmangen gjatë këtij viti” – thuhet në planin e punës së bordit të ShSKUK-së.

Sa i përket llogaridhënies e transparencës, thuhet se drejtuesit e njësie organizative të SHSKUK-së nuk kanë ofruar gjithmonë mbajtje të përgjegjësisë dhe llogaridhënies për punën e tyre.

Ky problem është diskutuar disa herë në mbledhjet e këtij bordi. Mosraportimi i saktë dhe në kohë i krerëve të njësive është shkak që raporti i punës për vitin 2023 nuk është prezantuar ende në bord.

Përpiluesi i këtij raporti, Sali Bllaca kërkoi në mbledhjen e mbajtur më 21.02.2024 që prezantimi i raportit të shtyhet për shkak të mungesës së të dhënave.

Kryesuesi i bordit, Naim Bardiqi shprehu pakënaqësinë e tij ldihur me këtë, duke thënë se disa herë është kërkuar që raporti të jetë gati më së largu më 15 shkurt.

“Vonesa ka qenë dukuri gjatë tërë vitit, këto janë obligime statutore. Mos gaboni me qit 5-she, se s’jemi për 5-she” – tha Bardiqi.

Rezultat tjetër i synuar është përgatitja e planeve për reagim në situata emergjente, që sipas ShSKUK-së vjen si nevojë pas mësimeve të nxjerra nga pandemia Covid-19.

“Janë identifikuar edhe sfida në funksionim të administratës dhe nevojës për reformim të strukturave organizative. Rolet dhe përgjegjësitë institucionale dhe individuale jo mirë të definuara kanë ndikuar në organizimin jo të kënaqshëm të ofrimit të shërbimeve për qytetarët në nevojë” – thuhet më tej në plan.

Performanca e dobët e njësive të ShSKUK-së është dëshmuar edhe gjatë vizitave të bordit nëpër spitale rajonale dhe klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ku edhe kanë raportuar drejtorët e tyre.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këto vizita mund t’i lexoni në këtë LINK.

Plani i Punës së bordit drejtues të ShSKUK-së u miratua me 7 vota për nga të gjithë anëtarët e bordit, në mbledhjen e 41-të të datës 21.02.2024.

Bordi i ShSKUK-së përbëhet nga kryesuesi Naim Bardiqi – përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë dhe anëtarët: Dren Boshnjaku – përfaqësues nga QKUK, Tetore Olloni – përfaqësuese nga Qendra Klinike Stomatologjike, Rrezarta Bajrami – përfaqësuese nga IKSHPK, Besim Demolli – përfaqësues nga spitalet rajonale, Vjollca Kadolli – përfaqësuese nga Kujdesi Parësor Shëndetësor dhe Enver Gashi – drejtor financiar.

Ky bord, i katërti me radhë u emërua më 26.04.2023 nga Qeveria e Kosovës.