'Tales of Scapes', performanca që do të trondisë natën e dytë të Festivalit ‘FemArt’

Dita e dytë e Festivalit Ndërkombëtar të Artistëve dhe Aktivistëve “FemArt”,  do të mbyllet me koncertin “Tales of Scapes” të formacionit muzikor, “Liburn Jupolli Ensemble”.

Kjo performancë premierë do të mbahet më 17.06.2025, duke filluar nga ora 21:00 dhe mbahet në Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.

Përmes performancës, “Tales of Scapes” një formacion prej 6 muzikantësh, “Liburn Jupolli Ensemble” do të performojë për publikun një cikël peisazhesh zanore që lëvizin mes kujtesës dhe së ardhmes.

“Tales of Scapes”, prezanton një performancë skenike në shkallë të plotë që shënon daljen e parë të gjallë të albumit të tyre debutues (Liburn Jupolli Ensemble).

Duke kombinuar shpikjen muzikore, kërkimin performativ dhe një estetikë futuriste-folklorike, kjo performancë është e destinuar të jetë një nga ngjarjet më të menduara dhe më përparuese të vitit, si për skenën kulturore të Kosovës ashtu edhe për muzikën bashkëkohore ndërkombëtare.

Formacion modular përtej zhanreve

Kompozitori  Liburn Jupolli, themelues i ansambli “Liburn Jupolli Ensemble” është shprehur se ky formacion muzikor është një kolektiv transnacional, një platformë për eksperimentim – një sistem i gjallë dhe në zhvillim që tejkalon zhanret dhe e rishpik performancën si akt ndërveprues dhe hulumtues.

Sipas tij ansambli, përbërë nga kompozitorë, improvizues, artistë të tingullit, inxhinierë dhe instrumentistë nga Kosova, Zvicra, Stambolli, New Yorku e përtej, sië ka thënë ai, ansambli sfidon çdo kategorizim.

Po sipas tij, ansambli nuk funksionon si grup fiks, por si një organizëm modular sonor që përshtatet me nevojat specifike të çdo vepre apo projekti.

Vizioni i Jupollit rrjedh nga një karrierë që ndërthur trajnim klasik, skenat underground, prodhim elektronik dhe shpikje instrumentesh.

Pas krijimit të instrumenteve si Octo (një sistem mikrotonal me 8 tela, 43 frete dhe audio të hapësirëzuar), u bë e qartë se asnjë ansambël tradicional nuk mund ta përballonte muzikën që ai po ndërtonte.

“Ky ansambël (Liburn Jupolli Ensemble ) nuk interpreton këngë apo pjesë në kuptimin tradicional. Ai krijon korniza interaktive – sisteme të hapura muzikore që evoluojnë gjatë performancës. Kjo përfshin improvizimin, notacion grafik, material të gjeneruar nga AI (Inteligjenca Artificiale) dhe manipulim të drejtpërdrejtë të tingullit”- ka thënë Jupolli.

Ansambli luan në Jazz (Xhaz), elektronikë eksperimentale dhe algoritmike, folk shqiptar e ballkanik, siç ka thënë Jupoll, i rishpikur përmes mikrotonalitetit dhe përpunimit të tingullit, pastaj tinguj metal dhe industrial, klasike bashkëkohore dhe noise e pop, jo si zhanër por si strukturë e njohur.

“Post-zhanri nuk është stil—është mënyrë e të qenurit. Ne i trajtojmë gjuhët muzikore si elemente arkitekturore të një ndërtese që e rikrijojmë vazhdimisht”- thotë Jupolli.

Instrumentet, karakteristikë kyçe

Një nga karakteristikat kyçe të ansamblit është përdorimi i instrumenteve të shpikura dhe të rralla tradicionale, disa prej të cilave janë të vetmet ekzistuese në botë: Octo, shpikje mikrotonale vetë Liburn Jupolli; Okarina Ilire, bazuar në gjetje arkeologjike nga Runiku; fyell i shokës, fyell pastoral shqiptar; kavalli, çifteli, sharki, lahutë, prim, instrumente tradicionale shqiptare. Shumica e këtyre instrumenteve tradicionale, sipas Jupollit janë punuar me dorë nga mjeshtri i ndjerë Shaqir Hoti, trashëgimia e të cilit vazhdon në këto performanca.

Karakteristikë tjetër e ansamblit, sipas Jupollit, është se çdo performancë është një eksplorim i vendit ku ndodh. Qoftë sallë koncertale apo rrugë publike, ansambli e trajton hapësirën si bashkëpunëtore—një trup rezonant që aktivizohet përmes tingullit.

Formacioni, ka thënë ai mund të përshtatet nga instalacione solo deri në performanca me 16 muzikantë, duke krijuar një arkitekturë fleksibile për muzikën që merr frymë me publikun. Ndërsa Çdo kostum frymëzohet nga veshjet tradicionale kosovare, por projektohet drejt një dimensioni futurist.

Për këtë ngjarje janë angazhuar mbi 25 bashkëpunëtorë nga disiplina të ndryshme. Çdo koncert ka një përbërje specifike në varësi të veprës; disa muzikantë marrin pjesë vetëm në incizime studioje, të tjerë në performanca live, ose në të dyja.

Që nga formimi zyrtar në vitin 2023, ansambli ka angazhuar mbi 25 bashkëpunëtorë të disiplina të ndryshme. Çdo koncert i “Liburn Jupolli Ensemble” ka një përbërje specifike në varësi të veprës; disa muzikantë marrin pjesë vetëm në incizime studioje, të tjerë në performanca live, ose në të dyja.

Festivali ‘FemArt” hapet të hënën më 16.06.2025 me koncertin e grupit “Shkodra Elektronike” që mbahet në “AMC Hall” në Obiliq dhe mbyllet më 21.06.2025.