Mos hartimi i rregulloreve mban peng konkursin për mbështetjen e projekteve filmike

Qendra Kinematografike e Kosovës ende nuk e ka hapur konkursin për subvencionimin e projekteve filmike për 2023, kur kanë mbetur edhe më pak se 3 muaj deri në fund të vitit.

Fajin për këtë, QKK ia lë rregulloreve që duhet të bëhen për të rregulluar fushën e kinematografisë pas hyrjes në fuqi të Ligjit të ri për kinematografinë.

Sipas këtij ligji, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, është përgjegjës për nxerrjen akteve nënligjore dhe procedurat e kriteret tjera të konkurseve dhe mbështetjes financiare të veprave filmike dhe audio-vizuale.

Ligji i ri për kinematografinë është miratuar në qershor të këtij viti. Deri në miratimin e ligjit të ri, QKK i kishte rregulloret përmes së cilave e rregullonte e dhe çështjen e subvencionimit të projekteve filmike, konkurset dhe mënyrën e përzgjedhjes së projekteve.

Rregulloret dhe materialet tjera ishin publike në ueb-faqen e QKK-së, e cila ka javë të tëra që nuk funksion.

Sipas Ligjit për buxhetin QKK në dispozicion 1,500 euro për mbështetje të projekteve filmike për këtë viti.

Kineastët kosovarë, vonesat e tilla i shohin si pengës për zhvillimin e kinematografisë kosovare, por edhe një demotivim të tyre për krijimtarinë filmike.

QKK, në një prononcim për KALLXO.com ka thënë se pritet të hapet pas miratimit të rregulloreve, që sipas tyre mund të ndodhë deri në fund të vitit.

“Konkursi nuk është hap sepse për shkak të miratimit të ligjit të ri për kinematografi, është shfuqizuar ligji i vjetër dhe për t’u hap konkursi duhet të hartohen rregullore të reja në të cilat jemi duke punuar. Konkursi pritet të hapet pas miratimit të rregulloreve, mund të hapet deri në fund të këtij viti”- thuhet në përgjigjen e QKK-së.

QKK ka thënë se  ueb-faqja e saj nuk është funksionale për shkak të disa procedurave të vazhdimit të kontratave.

Demotivimi përmes vonesave

 Ibush Arifi, dramaturg e skenarist, vonesat në hapjen e konkursit për mbështetje të projekteve filmike nga ana e QKK-së për 2023 e sheh si  demotivim për krijuesit e filmave.

Vonesa e QKK-së për të hapur konkursin për financimin e projekteve filmike, në radhë të parë është një demotivim i krijuesve të filmave. Vonesa mund t’i jenë për shumë arsye. Ndoshta, që ndonjëri ta përfundojë një skenar, etj. Por, e rëndësishme është të ketë një juri korrekte, e cila bën përzgjedhjen e skenarëve”- ka thënë ai.

Ndërsa regjisori Mahir Musliu ka thënë për KALLXO.com se këto vonesat kanë gjenezë burokratike edhe si të tilla krijojnë dëme të shumëfishta për kinematografinë kosovare.

“Është e pajustifikueshme vonesa e konkursit për një rregullore e cila deri tani është dashur që të hartohej. Kam përshtypje se ne jetojmë në një ambient tepër parazitor dhe puna e aktiviteti janë shpallur të rendit të dytë. Ujin e ngrohtë e kanë shpikur të tjerët para nesh dhe në vetëm duhet marrë përvoja dhe mostra nga të tjerët. Pra lipset vullnet. Dy juristë dhe dy të fushës së kinematografisë dhe ishte demitizu kjo punë”- ka thënë regjisori Musliu.

Ai ka thënë se një pjesë e  madhe kinematografisë kosovare varet nga financat që i ndanë shteti dhe, siç ka thënë ai, çdo vonesë bëhet pengesë dhe barrierë në zhvillimin e filmit.

‘Dëmet janë të shumëfishta në këtë drejtim. Në vitin që po e lëmë pas nuk patëm film që do të na prezantoj në “Academy Awards”, e tani nuk kemi edhe konkurs. Si përllogaritje i bjerë që mbetemi dy vite prapa. Dihet se një pjesë e madhe kinematografisë tonë është e varur nga financat që i ndanë shteti dhe çdo vonesë bëhet pengesë dhe barrierë në zhvillimin e filmit. Për t’u finalizu një film me parametra çfarë e kërkojnë festivalet me renome duhet përveç financave edhe kohë e gjatë. Ajo nuk bëhet me shkop magjik”- ka thënë ai.

Subvencionimi sipas ligjit

Sipas Ligjit për Kinematografi, nen 15, pikat: 1-6,  QKK-ja mbështet financiarisht kinematografinë në bazë të konkurseve periodike. Për këtë edhe çdo vit hapë konkurs për mbështetjet të projekteve filmike

Në konkurset e QKK-së prioritet kanë veprat filmike dhe audio-vizuale vendore.

“Vlera e mbështetjes financiare e veprave filmike dhe audio-vizuale vendore të metrazhit të gjatë mund të arrijë deri në tetëdhjetë përqind (80%) të buxhetit total të veprës, përveç veprave të regjismetrazhit të shkurtër dhe të mesëm, që mund të mbështeten deri në njëqind përqind (100%) të buxhetit total të veprës”- thuhet në nenin 15, të këtij ligji.

Ndërsa, procedurat dhe kriteret e tjera të konkurseve dhe mbështetjes financiare të veprave filmike dhe audio-vizuale, si dhe veprimtarive plotësuese, definohen me akt të veçantë nënligjor të nxjerrë nga ministri.