Sesioni ‘Ushtria Çlirimtare e Kosovës’. Foto: KALLXO.com

Në Institutin Albanologjik po mbahet sesioni shkencor për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës

Në Institutin Albanologjik të Prishtinës po mbahet sesioni shkencor, “Ushtria Çlirimtare e Kosovës – vlerë Kombëtare”.

Studiues shqiptarë nga Shqipëria, Kosovës e Maqedonia po prezantohen me kumtesa të ndryshme për dhe rreth Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Qëllimi i këtij sesioni është prezantimi i fakteve lidhur me rolin dhe rëndësinë që pati UÇK në formimin e shtetit të Kosovës.

Historiani, Lulëzim Lajçi, sekretar shkencor në Institutin Albanologjik ka thënë gjatë fjalës hyrëse se Lufta e UÇK-së kishte për qëllim çlirimin e shqiptarëve nga Serbia.

Lajçi tha se UÇK-ja ishte një përgjigje ndaj masakrave të shumta që serbët bënë në Kosovës, gjatë fundit të shekullit të kaluar. Ndërsa, tha se Adem Jashari mbetet figura më e shquar e rezistencës së popullit shqiptar në Kosovë.

“Përmes kumtesave nga fusha të ndryshme do të trajtojmë aspekte të ndryshme dhe në mënyrë shteruese do t’i ofrojmë përgjigje sa më të qëndrueshme lidhur me rolin dhe rëndësinë që pati UÇK-ja në lindjen e shtetit të dytë shqiptar në Ballkan”, ka thënë Lajçi.

Sot është dita e fundit e “Epopesë së Kosovës”, në 24 vjetorin rënies së luftëtarëve të UÇK-së, Adem dhe Hamëz Jashari dhe familjarëve të tyre.

Sesioni shkencor “Ushtria Çlirimtare e Kosovës – vlerë Kombëtare”, organizohet nga Instituti Albanologjik në Prishtinë, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë dhe Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës.