Pamje nga opera ‘Goca e Kaçanikut’. Foto: Facebook/BKK.
Dy vjet vonesë - nisin procedurat për bashkimin e Operës, Baletit dhe Ansamblit "Shota"
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) ka shkelur afatin ligjor për ta themeluar institucionin e përbashkët të Operës, Baletit dhe Ansamblit Kombëtar, siç parashihet me Ligjin për Artin dhe Kulturën.
Më këtë ligj, Opera, Baleti dhe Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Vallave, ‘Shota”, të cilat deri në dhjetor të viti 2023 funksiononin si të pavarura, do të bashkohen në një institucion të vetëm.
Themelimi dhe funksionalizimi i plotë i këtij institucioni do të duhet të bëhet në periudhën deri në njëzet e katër (24) muaj nga hyrja në fuqi e këtij ligji.
I dekretuar nga Presidentja Vjosa Osmani, më 29.12.2023 dhe botuar në fletoren zyrtare më 11 janar 2024, Ligji për Artin dhe Kulturën, neni 7, pika 4.2, parash formimin e Institucionit të Operës, Baletit dhe Ansamblit Kombëtar. Po sipas këtij ligji, ky institucion do të formohet nga bashkimi i tri institucioneve që deri tash kanë funksionuar si të pavarura; Operës së Kosovës, Baletit Kombëtar dhe Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve, “Shota”.
Por, vetëm më 14 janar 2026, MKRS ka nisur procesin e themelimit të këtij institucionit. MKRS ka mbledhur në takim drejtuesit e institucioneve drejtuesit e Operës, Baletit dhe Ansamblit “Shota”, ku është diskutuar për krijimit të draft- statutit të institucionit të ri. Ndërsa takimi i radhës është planifikuar të mbahet të hënën, më 19.01.2026.
Dy prej drejtues të institucioneve që do të jenë pjesë e institucionit të ri kanë konfirmuar për KALLXO.com, mbajtjen e takimit të parë për hartimin e draft-statutit, më\14.01.2026 dhe për thirrjen e takimit të radhës.
Hapi i parë, themelimi i draft-statuti
Meriton Ferizi, ushtrues i detyrës së drejtorit të Operës së Kosovës ka thënë për KALLXO.com se gjatë takimit të parë, më 14.01.2026, është diskutuar rreth krijimit të draft statutit të institucionit të Operës, Baletit dhe Ansamblit Kombëtar. “Si detyrë na u dha që deri në takimin e radhës, më 19 janar 2026, të dërgojmë propozime secili nga ne për krijimin e këtij draft- statuti, duke u mbështetur në ligjin e ri për kulturë dhe ndonjë koment apo propozim shtesë nëse e shohim të nevojshëm secili nga pozicionet tona”- ka thënë ai.
Ndërsa, Kreshnik Musolli, ushtrues i detyrës së drejtorit të Baletit të Kombëtar të Kosovës ka thënë se “në takim janë ndarë përgjegjësitë e secilit person brenda grupit punues, që të punohet në këtë drejtim, me qëllim që të finalizohet sa më shpejtë”.
Heshtja e MKRS
KALLXO.com ka kërkuar sqarim nga MKRS rreth vonesave për funksionalizimin e Operës, Baletit dhe Ansamblit Kombëtar, apo hartimin dhe fuqizimin e akteve nënligjore për këtë institucion, siç parashihet me Ligjin për Artin dhe Kulturës, por nuk ka marrë përgjigje deri në publikimin e artikullit.
Pyetje lidhur me këtë çështje KALLXO.com ka drejtuar edhe në Ansamblin “Shota”, po nuk ka marrë përgjigje deri në publikimin e artikullit.
Aktualisht të tri këto institucione drejtohen me ushtrues të detyrës së drejtorit.
Tri në një
Me Ligjin për Artin dhe Kulturën, neni 7, tri institucionet Opera e Kosovës, Baleti Kombëtar dhe Ansambli “Shota” do të bashkohen në një institucion të vetëm; Opera, Baleti dhe Ansambli Kombëtar.
Po, sipas këtij ligji, dispozitat e përgjithshme, neni 31, institucioni i ri është trashëgimtar me të gjitha të drejtat dhe detyrimet e institucioneve që kanë funksionuar si të ndara deri në hyrjen në fuqi të këtij ligji dhe obligohet të ruajë, kultivoj dhe promovoj trashëgiminë historike të Operës së Kosovës, Baletit Kombëtar të Kosovës dhe Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota”.
Po sipas nenit 31 të këtij ligji themelimi i këtij institucioni bëhet brenda 2 vjetëve.
“Themelimi dhe funksionalizimi i plotë i institucionit të ri si në paragrafin 1 të këtij neni bëhet në periudhën deri në njëzet e katër (24) muaj nga hyrja në fuqi e këtij ligji”- thuhet në pikë 3 të këtij neni.
Ky institucion, parashihet të vendoset në objekti e planifikuar të ndërtohet prapa Pallatit të Rinisë dhe Prishtinë.
Historiku i institucioneve
‘Shota’
AKKV “Shota” zyrtarisht është themeluar me në të vitit 1964. Për vite, ky institucion ka ruajtur dhe promovuar trashëgiminë kulturore muzikore dhe etnologjike të Kosovës, duke e prezantuar në të gjitha kontinentet e botës.

Baleti Kombëtar
Trupa e parë e Baletit të Kosovës u formua në vitin 1972 dhe ka funksionuar në kuadër të Teatrit Popullor Krahinor, pas viti 1999 Teatri Kombëtar. Në vitin 1991, balerinët e baletit të Kosovës u larguan me forcë nga teatri nga masat e dhunshme serbe, duke e pushuar aktivitetin e këtij institucioni. Por, rinisi punën pas çlirimit, në viti 2001 nga gjenerata e parë e balerinëve të këtij baleti. Gjatë këtyre dekadave ky baleti përfaqësoi Kosovën në skenat më prestigjioze botërore.

Opera e Kosovës
Më 2006 nga Kuvendi i Kosovës u themelua ligji për Filharmoninë, Operën dhe Baletin Kombëtare. Por, vetëm në gusht të 2021 Kuvendi i Kosovës votoi për themelimin e Operës. Ky institucion ka shfaqur disa opera dhe koncerte operistike.
