Foto: Mannifesta Biennal/Facebook

Manifesta, Bienalja Nomade Evropiane vjen në Prishtinë për edicionin e 14-të (VIDEO)

Bienalja Nomade Evropiane ‘Manifesta 14’, vjen në Prishtinë, me një program arti, shfaqje, ngjarje dhe punëtori me qëllim fuqizimin e qytetarëve të rimarrin hapësirën publike.

Bienalja do zgjasë nga data 22 korrik deri më 30 tetor. E hapur për 100 ditë, programi ndërdisiplinor i Manifesta 14  përfshinë ndërhyrje artistike dhe urbane, shfaqje, punëtori dhe evente në të gjithë kryeqytetin i Kosovës.

Manifesta 14  prezanton 103 pjesëmarrës nga mbi 30 vende dhe vepra në 25 vende ikonë në të gjithë Prishtinën.

Artistët pjesëmarrës në këtë bienale janë nga Kosova dhe vend tjera të Evropës. Disa prej artistëve pjesëmarrës që do jenë pjesë shpalosin artin e tyre në lokacionet e ndryshme të qytetit janë: Larry Achiampong, Astronomy Club of Kosova, Bora Bobaci, Celine Baumann, Valentina Bonizzi, Anna Bromley, Elona Beqiraj, Luz Broto, Lee Bul, Daniel Gustav Cramer, Ilir Dalipi, Etea, Jakup Ferri, Fondacioni 17, Petrit Halilja, Astrit Ismaili, Fahrije Hoti dhe Gratë e Krushqit Madhe, Jelena Juresa, Kino Armata, Hana Miletic, Ivan Moudov, Igor Simiç, Sislej Xhafa, etj.

Hapësirat ku do bëhen ndërhyrje gjatë 100 ditëve të Manifestas përfshijnë monumente ikonike por edhe zona ‘të harruara’ nga pushteti lokal përfshirë: Sheshi Zahir Pajaziti, Kino Armata, ish Tulltorja e Qytetit, Shiriti i Gjelbër (shteg çiklizmi), Biblioteka Kombëtare e Kosovës, Hotel Grand, ish shtëpia e mallrave ‘Gërmia’, Monumenti i Komunizmit, Muzeu Kombëtar i Kosovës, Hamami i madh i qytetit, Muzeu Etnologjik, Pallati i Rinisë dhe Sporteve, Rilindja, Observatori i Prishtinës, Shtëpia Shkollë e Herticëve, Monumenti i Varrezave të Dëshmorëve Partizan etj.

Ndërhyrje në disa prej lokacioneve të lartpërmendura tashmë kanë filluar dhe pritet të rrijnë më këtë dizajn deri në përfundim të edicionit.

Hedwig Fijen, drejtoreshë e festivalit tha se ky edicion po mbahet në një moment të rëndë gjeopolitik për Evropën por edhe nga ana shëndetësore si shkak i pandemisë.

Sipas saj, kjo është hera e parë që kjo bienale vjen në Ballkanin Perëndimor dhe përmes saj do synojnë revitalizimin e hapësirave publike.

“Qëndroj përball jush t’u prezantoj këtë edicion, në një moment të rëndë gjeopolitikë dhe pandemisë.  Ky edicion na bënë të mendojë se çfarë ndryshimi mund të bëjë një bienale. Kemi qëllim të rrisim kapacitetin krijues me revitalizim në hapësira publike. Hera e parë që kjo bienale vjen më Ballkanin Perëndimor ku 40 pjesëmarrës janë nga Kosova”, tha Fijen.

Fijen bëri po ashtu thirrje që qytetarët e Kosovës të lëvizin pa viza nëpër Evropë, sipas saj, kjo gjë minon nevojat e artistëve e shumë të rinjve nga Kosova për të shprehur talentin e tyre nëpër botë.

Kryetari i Prishtinës Përparim Rama i cili ishte po ashtu pjesëmarrës në konferencën e hapjes së kësaj bienaleje deklaroi se ka qenë edhe në bordin e këtij organizmi para se të bëhej kryetar.

“Që nga fillimi Manifesta si platformë ka pas ide që Prishtina të ndryshojë si qytet. Ideja e re ishte që se bashku të bashkojmë forcat për transformim të hapësirave publike dhe për të parë mundësitë që ofron qyteti. Nëse do kishim mundësinë të dilnim në Evrope, do tregonim kush jemi ne si qytetarë të Prishtinës dhe të kthehemi e ndërtojmë qytetin së bashku”, ka thënë Rama.

I pari i Prishitinës tutje shtoi se me anë të kësaj bienaleje po sjellin artin tek qytetarët. Ai u bëri thirrje mediave ndërkombëtare që të shkruajnë për Prishtinën, i cili është qytet në transformim.

“Transformimi tashmë ka nisur, ku po mbahen workshope, si dhe ndërhyrja tek ish fabrika e tullave që ka qenë e braktisur për disa dekada, tani ofron perspektivë tjetër për qytetarët. Ne po sjellim artin tek njerëzit me këto intervenime. Këto intervenime japin optimizëm për qytetarët. Shkruani për Prishtinën i cili është qytet në transformim dhe jep shumë mundësi”, ka thënë Rama.

Kurse ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku potencoi se nga ajo çfarë ka parë deri tani ky do jetë një organizim i mrekullueshëm.

Çeku tha se pjesëmarrësit dhe qytetarët do kenë mundësinë të shijojnë art botëror përgjatë këtyre 100 ditëve.

Ministri ka falënderuar edhe ish drejtorin e kulturës në Prishtinë, Yll Rugova për të cilin tha se duhet t’i jepet shumë meritë që Kosova arriti të fitojë Manifestën për këtë vit.

“Yll Rugova në fillim i nën përkahur por asnjëherë i dekurajuar ai do e kryesonte meritën për këtë organizim. Këtu duhet përmendur edhe ish ministrat e kulturës dhe ish kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti. Përparim Rama ka qenë edhe pjesë e bordit të manifestes, tani kryetar komune”, ka thënë Çeku.

Derisa njëri nga arkitektet pjesëmarrës në këtë bienale, Carlo Ratti ka thënë se me këtë edicion po synojnë sjelljen e hapësirës publike tek qytetarët. Ai shtoi se më këto ndërhyrje mund të bëhen edhe transformime afatgjata, siç është ajo tek ish fabrika e tullave.

Bienalja Evropiane Nomadike e Artit, “Manifesta” është themeluar në fillim të fillimit 1990. “Manifesta” rimendon lidhjen midis kulturës dhe shoqërisë civile, duke hulumtuar dhe nxitur ndryshime pozitive të ndryshme përmes kulturës bashkëkohore në dialog të ngushtë me sferën shoqërore të qytetit mikpritës dhe komuniteteve të tij.

Që nga viti 1996, kjo bienale organizohet çdo dy vjet në para qyteteve gjuhë të ndryshme. Deri më tani janë mbajtur 13 edicione të kësaj bienaleje.