Galeria e Ministrisë së Kulturës hap konkurs për programin artistik për vitin 2020

Galeria e Ministrisë së Kulturës, (GMK), “Qafa” në Prishtinë, ka hapur sot konkurs për projekt-propozime për programin artistik të vitit 2020.

Sipas njoftimit të kësaj Galerie, të drejtë konkurimi për hartimin e programit artistik të GMK-së kanë krijuesit nga fusha e pikturës, skulpturës, dizajnit grafik, grafikës, instalacionit, fotografisë, videos, performancës dhe arkitekturës.

Aplikimet mund të jenë për ekspozita individuale dhe ekspozita kolektive kuratoriale.

“Të drejtë konkurimi kanë të gjithë të cilët kanë ide/ vepra të realizuara në këto fusha. Konkuruesit duhet të sjellin dhjetë (10) punime të shtypura me ngjyra, në formatin A4, me kualitet të lartë (minimum 600 x 800 dpi); apo video me kohëzgjatje prej maksimum 10 minuta, në format DVD. Punimet duhet të jenë të realizuara viteve të fundit dhe të pa ekspozuara në GMK”, thuhen në ndër të tjerash në njoftimin e GMK-së.

Ndërsa, po sipas këtij njoftimi nuk do të pranohen punimet fizike (piktura, skulptura, etj.), kurse për numri e punimeve që do të ekspozohen vendoset nga GMK.

Afati i fundit për konkurrim në këtë konkurs është deri më 11 nëntor 2019.