Ndarja e çmimeve për artin pamor; Fotografi: MKRS

Ministria e Kulturës ndan çmimet në fushën e artit pamor

Ministria e Kulturës sot ka ndarë çmimet në fushën e artit pamor.

Me Çmimin Kombëtar për Veprimtari Jetësore “Muslim Mulliqi” është vlerësuar akademik Tahir Emra.

Ndërsa Hysni Krasniqi është laureat i Çmimit Vjetor për të arriturat në fushën e artit pamor.

Ministrja e Kulturës Vlora Dumoshi, tha se laureatët kanë kontribuuar në pasurimin e vlerave artistike pamore në Kosovë me krijimtarinë e tyre duke përçuar mesazhe tek publiku të cilat kanë sjellë një frymë të re.

“Është një kënaqësi që t’i kemi këta artistë me një histori të shkëlqyeshme dhe që kanë kontribuuar shumë në artin pamor. Çmimet që ndan MKRS-ja janë vlerësim i punës së artistëve, dhe ky çmim mban një emër të madh, emrin Muslim Mulliqi”, tha Dumoshi.

Emra tha se ky është një vlerësim i cili tregon se edhe Kosova ka krijues të mirëfilltë të cilët edhe janë të shkolluar nëpër akademi prestigjioze dhe atë dije që kanë fituar e kanë përcjellë edhe tek gjeneratat e reja.

“Ne jemi popull shumë i talentuar, ndonëse populli i vogël por dhe këtë nuk e themi ne por e thonë të tjerët”, u shpreh Emra.

Ndërkaq, Hysni Krasniqi, tha se arti pamor i Kosovës mund të krahasohet kudo në bashkësinë evropiane ku artistët nga Kosova, qoftë individualisht apo në grup, kanë realizuar ekspozita anekënd ish-Jugosllavisë dhe Evropës, si në pikturë, skulpturë, grafikë e vizatim.

Juria ka qenë në përbërje të: Zeni Ballazhi – kryetar, Dhurata Ramosaj e Mirsad Lushtaku anëtar.