Foto: Atdhe Mulla

Komuna ndan 1.6 milion euro për projektim të ish ‘Gërmisë’ si qendër multikulturore

Kryeqyteti ka në plan që ish-shtëpinë e mallrave ‘Gërmia’ ta kthejë në një qendër multikulturore, ku do akomodojë Sallën Koncertale dhe një Galeri të Qytetit.

Ditë më parë, kryeqyteti ka nënshkruar kontratën në vlerë 1.6 milion euro me operatorin “O.U.D -Architects Sh.P.K; Kengo Kuma and Associates”, sipas kontratës me titull “Hartimi i projektit të detajuar për qendrën multikulturore ‘Gërmia’ në Prishtinë”.

Sipas të dhënave në dosjen e tenderit, afati i fundit për finalizim të projektit është 240 ditë kalendarike, gjegjësit 8 muaj nga nënshkrimi i kontratës.

Kujtojmë se paraprakisht, ish-kryetari Shpend Ahmeti pati hapur konkurs ndërkombëtar që ish-Gërminë ta kthente në sallë koncertale, duke ia ruajtur indentitetin e jashtëm. Projekti nuk ishte realizuar.

Derisa, më 14 mars të këtij viti, kryetari Përparim Rama priti në takim artistin japonez Kengo Kuma, fituesin e konkursit të projektit për qendrën multikulturore, dhe i dhuroi edhe simbolin e Prishtinës ‘Hyjnesha në Fron’.

“Ishte nder të prisja arkitektin japonez Kengo Kuma, fitues i Konkursit të Sallës Koncertale të Gërmisë, dhe një nga emrat më të respektuar e më domethënës të dizajnit. po punojmë për ndërtimin e Qendrës Multikulturore të Gërmisë, e cila do të akomodojë Sallën tonë të Koncerteve dhe një Galeri të Qytetit”- kishte shkruar Rama.

Tashmë edhe stafi i Administratës Tatimore të Kosovës që kanë qenë në këtë objekt janë zhvendosur në lagjen ‘Arbëria’.

Të dhëna për projektin

Prishtina nuk ka objekt të përshtatshëm ku mund të akomodohen festivale të muzikës klasike, muzikës xhaz etj, por as hapësirë të përshtatshme për ekspozita të artistëve pamor.

Prandaj, ish-kompleksi Gërmia, i cili gjendet në sheshin Skënderbeu u propozua të përshtatet në Galeri të Arteve Bashkëkohore, ndërsa në pjesën e pasme të tij, ku aktualisht ndodhet parkingu, të vendoset sallë koncertesh simfonike me një kapacitet prej 1,200 spektatorësh dhe një sallë e vogël alternative me një kapacitet prej 400 spektatorësh.

Kompleksi në fjalë është nën mbrojtjen e shtetit, pjesë e Listës së Trashëgimisë për Mbrojtjen e Përkohshme të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe si i tillë duhet të trajtohet gjatë zhvillimit të konceptit të ndërhyrjes.

Vepra ‘Above Everyone’ e Alban Mujës mbi ish- objekti ‘Gërmia’. Foto: KALLXO.com.

Kompleksi i ish-Gërmisë përfshine hapësirë prej rreth 10.000 m2 sipërfaqe. Ky kompleks ka shërbyer si qendër tregtare-administrative.

Kompleksi, ish-Shtëpia e Mallrave – Gërmia e ndërtuar në vitin 1972, paraqet vitet e zhvillimeve të rëndësishme në fushën kulturore, social-politike dhe ekonomike të Kosovës. I ndërtuar shumë afër Tregut të Vjetër të qytetit të Prishtinës, i cili u rrënua gjatë viteve të 50-ta në emër të ndërtimit të qytetit të ri socialist, paraqet hapat e parë në krijimin e hapësirave komerciale të vetëshërbimit, në qytetin e Prishtinës, si në qendrat e tjera të ish-Jugosllavisë.

Kompleksi “Gёrmia” ishte i pari dhe i vetmi objekt me shkallë lëvizëse, duke e bërë atë një atraksion për qytetarët.

Njohës të fushës së artit flasin për adaptimin e ish shtëpisë së mallrave ‘Gërmia’ në sallë koncertale