array(1) {
  [0]=>
  array(4) {
    ["archive_color"]=>
    string(7) "#B9D156"
    ["menu_attr"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["main_title"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["custom_item"]=>
    string(8) "?level=3"
  }
}

Ilustrimi- Jeta Dobranja për KALLXO.com

Pritjet e parealizuara të Lajçakut dhe Borrelit për arritjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi brenda muajsh

Deklarata

Tetor 2020, Josep Borrell: Unë personalisht besoj se arritja e marrëveshjes përfundimtare është çështje muajsh e jo vitesh.

Mars 2021, Mirosllav Lajçak: E kam thënë edhe në të kaluarën dhe e po e përsëris se ky proces do të mund të përmbyllet brenda disa muajve, nuk kërkon vite që të arrihet marrëveshja. Por, ne nuk jemi ata që po nxitojmë ose ata që e ngadalësojnë procesin. Janë Kosova dhe Serbia që vendosin se sa shpejt duan të procedojnë.

 

Josep Borrell dhe Mirosllav Lajçak

Vlerësimi

Me kos

Përkundër deklaratave të zyrtarëve të lartë të BE-së, një marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk është arritur brenda muajsh. Në vitin 2021 kishte shumë pak takime të realizuara në mes të udhëheqësve të dy shteteve dhe për pasojë nuk kishte aferim sa i përket arritjes së një marrëveshje në mes të dy shteteve. Këtë fillim vit kanë rinisur sërish përpjekjet që Kosova dhe Serbia të vazhdojnë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre. Më 31 janar, nisën vizitën pesëditore në Kosovë dhe më pas Serbi, i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Artikulli

Në dialogun e nisur në vitin 2011 mes Kosovës dhe Serbisë janë nënshkruar dhjetëra marrëveshje të ndryshme, por pak prej tyre kanë arritur të zbatohen.

Përveç kësaj, zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian patën deklaruar se marrëveshja përfundimtare mes të dyja vendeve mund të arrihet brenda muajsh, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Këtë fillim vit kanë rinisur sërish përpjekjet që Kosova dhe Serbia të vazhdojnë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre.

Më 31 janar, nisën vizitën pesëditore në Kosovë dhe më pas Serbi, i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Më herët, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell dhe emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak kur morën mandatet e tyre përkatëse ishin deklaruar optimist për një marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Borrell u emërua shef i diplomacisë europiane në fund të vitit 2019, ndërkaq Lajçak mori pozitën e emisarit në prill të vitit 2020.

Në tetor të vitit 2020, Borrell kishte thënë se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është një proces kompleks, por ishte shprehur se arritja e një marrëveshjeje finale është çështje muajsh, e jo vitesh.

“Unë personalisht besoj se arritja e marrëveshjes përfundimtare është çështje muajsh e jo vitesh, me kusht që të gjitha palët të angazhohen në mënyrë konstruktive. Ne nuk e shkruajmë paraprakisht se cila është zgjidhja. As nuk do të caktojmë afate artificiale për të përshpejtuar procesin. Ne mirëpresim të gjitha nismat në mbështetje të dialogut. Mirëpresim edhe angazhimin e SHBA-së, por është BE-ja ajo që e udhëheqë këtë proces”, ishte shprehur ai.

Edhe emisari evropian për dialogun, Lajçak kishte thënë se brenda muajsh mund të arrihet marrëveshje Kosovë-Serbi. Këtë deklaratë ai e pati dhënë në mars të vitit 2021 gjatë një vizite në Prishtinë.

“E kam thënë edhe në të kaluarën dhe e po e përsëris se ky proces do të mund të përmbyllet brenda disa muajve, nuk kërkon vite që të arrihet marrëveshja. Por, ne nuk jemi ata që po nxitojmë ose ata që e ngadalësojnë procesin. Janë Kosova dhe Serbia që vendosin se sa shpejt duan të procedojnë. Nëse duan të takohen në baza mujore, ne jemi aty. Nëse ata duan të takohen në baza javore, ne jemi këtu për të ndërmjetësuar dhe ne nuk na duhen edhe dhjetë vjet të tjera, as pesë vjet të tjera, as tre vjet, nëse ka përkushtim dhe vullnet të palëve”, kishte deklaruar ai.

Së fundmi, sekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Antony Blinken, ka thënë se Kosova duhet të angazhohet për arritjen dhe plotësimin e agjendës së presidentit amerikan, Joe Biden.

Pjesë të kësaj agjende, siç thuhet në letrën e Blinken dërguar kryeministri Albin Kurti janë fuqizimi i zbatimit të ligjit dhe arritja e marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.

“Si mik dhe partner i Kosovës, Shtetet e Bashkuara presin të bashkëpunojnë me ju për ta zbatuar plotësisht agjendën e Presidentit Biden të përcaktuar për marrëdhënien tonë, përfshirë fuqizimin e sundimit të ligjit, mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve, nxitjen e rritjes ekonomike dhe sigurimin e marrëveshjes së vonuar prej kohësh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me fokus në njohjen e ndërsjellë”, thuhet në letrën e Sekretarit Blinken drejtuar kryeministrit Albin Kurti.

Kosova dhe Serbia që nga fillimi i negociatave kanë nënshkruar rreth 33 marrëveshje të ndryshme.

Formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është një nga marrëveshjet më të diskutueshme në dialogun Kosovë-Serbi të lehtësuar nga BE-ja.

Kjo është rënë dakord nga palët në proces, por nuk është zbatuar asnjëherë, pasi Gjykata Kushtetuese shprehu rezerva për disa pika.

Shefi i Punëve të Jashtme të BE-së, Josep Borrell së fundi i ka thënë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk është justifikim për të mos ecur përpara në marrëveshjen e vitit 2015 për krijimin e Asociacionit.

Në një konferencë të përbashkët në Bruksel, kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell, u përplasën rreth moszbatimit nga Kosova të marrëveshjes në fjalë.

Kryeministri Kurti kishte thënë se marrëveshja nuk ka marrë miratimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

“Ka 33 marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe dy të tretat e tyre nuk janë zbatuar nga Serbia, por Beogradi zyrtar gjithmonë dëshiron të përmend një marrëveshje që duhet të them që nuk e ka kaluar testin e Gjykatës sonë Kushtetuese”, tha ai.

Megjithatë, shefi i Punëve të Jashtme të BE-së, Borrel, i bëri presion Kurtit që të zbatojë marrëveshjen, duke thënë se vendimi i gjykatës nuk ishte pengesë.

“Unë jam gjithashtu një demokrat dhe nuk jam këtu për t’i shërbyer asnjë politikani nga asnjë anë. Nuk pajtohem kur thoni se Gjykata Kushtetuese [Kosovës] e bën të pamundur zbatimin e kësaj marrëveshjeje”, tha ai.

Marrëveshja fillestare e vitit 2013 parashikonte që Asociacioni të themelohej dhe të funksiononte deri në fund të atij viti. Megjithatë, zbatimi fillimisht u ndal deri në verën e vitit 2015.

Më pas, në tetor 2015, teksti i marrëveshjes është dërguar për interpretim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Vendimi i gjykatës i lëshuar në dhjetor 2015 vendosi se 23 pikat e Marrëveshjes së Asociimit nuk ishin në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, veçanërisht me Marrëveshjen për Parimet për Themelimin e Asociimit.

Duke detajuar kompetencat që u janë dhënë 10 komunave me shumicë serbe të shoqatës, thuhet se ato do të kenë “mbikëqyrje” të plotë të fushave të planifikimit rural dhe urban, zhvillimit ekonomik, arsimit dhe shëndetësisë.

Serbia ka kërkuar vazhdimisht që Kosova ta zbatojë këtë marrëveshje.

Dialogu i udhëhequr nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë filloi në vitin 2011 dhe ka vazhduar me intensitete të ndryshme, por palët nuk janë afër një marrëveshjeje përfundimtare, me njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, as në horizont.

Në dhjetor të vitit 2015, BIRN dhe Interneës Kosova publikuan raportin “Big Deal”, i cili analizonte dhe monitoronte zbatimin e marrëveshjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që dalin nga procesi i dialogut në Bruksel.

KALLXO.com ka raportuar për nivelin e zbatimit të disa prej marrëveshjeve:

“Big Deal” i BIRN-it për marrëveshjen Kosovë – Serbi për telekomin, sfidat e zbatimit

Lëmshi rreth Asociacionit, të dhënat e raportit të BIRN-it “Big Deal”

Hapat para dhe prapa në marrëveshjen e dialogut për energjinë

Marrëveshja e Doganave dhe Tregtisë së Lirë, një dekadë pazbatueshmëri