Borrel i thotë publikisht Kurtit: Duhet ta implementoni marrëveshjen e Asociacionit

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë së Marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe është më shumë kërkesë e Beogradit se sa e qytetarëve të zakonshëm serbë të Kosovës.

Në konferencën e përbashkët mes kryeministrit Kurti dhe Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, ka pasur përplasje mes njëri-tjetrit në lidhje me implementimin e marrëveshjes së Asociacionit.

“Janë 33 marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, dhe dy të tretat e tyre s’janë implementuar nga Serbia, por gjithmonë Beogradi zyrtar dëshiron ta përmendë një marrëveshje që më duhet ta them s’e ka kaluar testin e Gjykatës sonë Kushtetuese”, tha fillimisht Kurti duke aluduar në marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

“Më kujtohet më 2015, kur në vendimin e saj asnjë serb i Kosovës nuk protestoi, por vetëm Beogradi. Besoj se është koha që të ketë dialog, ku populli, qytetarët, janë përfituesit e jo politikanët. Prandaj na duhet karakter demokratik i dialogut, që të fitojnë njerëzit” ka thënë Kurti i pyetur për Marrëveshjen për Asociacionin.

“Të gjitha zgjidhjet që vijnë nga lartë, në mënyrë që të kënaqen politikanë të caktuara, s’janë demokratike. Unë jam demokrat dhe prandaj besoj që kapitujt e ardhshëm të dialogut s’duhet të jenë aty për të kënaqur politikanë, të shpëtojnë lëkurën e dikujt apo fytyrën e dikujt, por të shërbejnë e ndihmojnë njerëzit. Ne u shërbejmë njerëzve dhe kam frikë se ky Asociacion është më shumë servis i Beogradit se i qytetarëve të zakonshëm serbë në Kosovë, për të cilët po ashtu shërbej si kryeministër i Republikës sonë”, ka vazhduar Kurti.

E për këtë deklaratë, kryeministri Kurti ka marrë një përgjigje të “vështirë” nga Borrell që i kërkoi publikisht të implementohet marrëveshja e nënshkruar në vitin 2015.

“Edhe unë jam demokrat dhe nuk jam këtu t’i shërbej ndonjë politikani nga asnjëra anë, s’pajtohem kur thoni që Gjykata Kushtetuese e bën të pamundshëm implementimin e kësaj marrëveshje. Ajo u arrit nga përfaqësuesit e dy palëve, në mirëbesim dhe në pajtim me normat ndërkombëtare për arritje të marrëveshjes dhe në kornizë të dialogut. Më vjen keq kryeministër, por më duhet të kërkojmë implementimin e kësaj marrëveshjeje. E di se ka edhe marrëveshje tjera të cilat s’janë zbatuar. Nga të dyja palët ka marrëveshje që s’janë zbatuar. Por kjo është shumë e rëndësishme”, ka thënë Borrell.