Hapat para dhe prapa në marrëveshjen e dialogut për energjinë

Marrëveshja për energjinë e arritur në vitin 2013, është njëra prej temave të cilat mbesin me ngecje të theksuara në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Pagesa e shpenzimeve të rrymës për komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, dilemat rreth shfrytëzimit të kapacitetit të Liqenit të Ujmanit dhe vonesat deri në funksionalizimin e linjës së njohur si “Autostrada Energjetike Kosovë-Shqipëri”, janë vetëm disa nga telashet që janë prodhuar.

Në dhjetor të vitit 2015, BIRN dhe Internews Kosova kishin publikuar raportin e “Big Deal”, në të cilin ishte analizuar dhe monitoruar implementimi i marrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë të dala nga procesi i dialogut në Bruksel.

Këtu mund ta gjeni raportin e vitit 2015 për implementimin e marrëveshjeve. Në këtë raport flitet edhe për marrëveshjen për energjinë.

Në raportin e BIRN-it, thuhet se që nga lufta, Serbia ka mbajtur në dorë frenat e infrastrukturës energjetike të Kosovës.

“Në shtator të vitit 2013, palët u pajtuan që organet e tyre të transmisionit të energjisë, KOSTT i Kosovës, dhe EMS i Serbisë, do të nënshkruajnë një marrëveshje bilaterale brenda tre muajve, duke vendosur dhe rregulluar me këtë marrëdhëniet mes dy operatorëve të sistemit të transmisionit. Të dy rregullatorët do të lëshojnë licenca tregtare (import, eksport, tranzit) dhe do të furnizojnë kompanitë e tyre respektive të distribucionit”, thuhet në raport.

Kosova dhe Serbia u pajtuan gjithashtu që, në një të ardhme, të gjejnë një metodë të përbashkët për zgjidhjen e parashtresave që kanë të dyja kundër njëra-tjetrës lidhur me përdorimin e linjave të transmetimit, duke u pajtuar edhe se do të kërkojnë arbitrim ndërkombëtar nëse nuk ka zgjidhje brenda gjashtë muajve.

Më 14 shtator 2014, KOSTT dhe EMS nënshkruan marrëveshje për menaxhimin e rrjetit dhe operimet e sistemit, duke i dhënë të dyjave bazë ligjore për operimin e pavarur të sistemit të energjisë elektrike.

Kjo pati mbetur e bllokuar deri kur marrëveshja e fundit u nënshkrua më 25 gusht 2015. KOSTT ishte përballur me pengesa sa i përket themelimit të marrëdhënies me Rrjetin Europian të Distributorëve të Energjisë, ENTSO-E, për shkak të ndërhyrjes direkte të Serbisë.

“Në bazë të marrëveshjes, Serbia është pajtuar se do të ndalojnë bllokimin e anëtarësimit të Kosovës. Janë dërguar disa aplikacione të ndryshme për të dy kompanitë e Serbisë, megjithatë, ato si duket nuk ishin sipas standardeve të dakorduara në Bruksel”, thuhet në raport.

Qeveria e Kosovës vlerësonte se mes vitit 2004 dhe 2014, Kosova i ka humbur deri në 150 milionë euro.

Zvarritja e funksionalizimit të “autostradës energjetike” Kosovë – Shqipëri

Më 29 shtator të vitit 2020, Kosova ka hyrë ne fuqi marrëveshja për anëtarësim të Kosovës në ENTSO-E. Marrëveshja ishte nënshkruar më 30 qershor të vitit 2020, por ka hyrë ne fuqi tre muaj më pas, pasi ENTSO-E ka vlerësuar që KOSTT ka plotësuar të gjitha kushtet e parapara me marrëveshje dhe është e gatshme të operoj e pavarur nga Serbia, si Zonë Rregulluese brenda Bllokut Rregullues Kosovë – Shqipëri.

Problemet nuk kanë përfunduar këtu. Menjëherë pasi Kosova filloi të operojë si bllok i pavarur energjetik dhe t’i kontrollojë kufijtë energjetik, Serbia ka ndërprerë transmetimin e 500 megavatëve të energjisë elektrike që Kosova importonte nga ky shtet. Në fund të muajit dhjetor të vitit 2020, KOSTT ka njoftuar se operatorët komercialë të energjisë nuk mund të tregtojnë energji elektrike në kufirin energjetik të Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

Sipas KOSTT-it, arsyeja pse ende nuk ka tregtim në linjat ndërkufitare Kosovë-Serbi është për shkak se operatori serb EMS (Rrjeti Elektro-energjetik i Serbisë) ende nuk ka bërë marrëveshje me KOSTT-in për tregtim të kapaciteteve.

Pengesat nga Serbia duke mos e zbatuar marrëveshjen për energji të nënshkruar në Bruksel me Kosovën në vitin 2013, bëri që Kosova të mos e shfrytëzojë autostradën energjetike me Shqipërinë për më shumë se katër vite, ndonëse kishte paguar miliona euro për kredinë që kishte marrë Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Kosovës (KOSTT). Funksionalizimi i saj u arrit në fund të vitit 2020.

Projekti i ndërtimit të autostradës energjetike Kosovë-Shqipëri kishte kushtuar 33.5 milionë euro vetëm në pjesën e Kosovës dhe financimi i saj ishte bërë nga Qeveria Gjermane.

Për këtë temë foli në seancën e Kuvendit të Kosovës të premten ushtruesja e detyrës së shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila.

“Marrëveshja e energjisë nuk pat mundësi me u zbatu derisa nuk u ndërruam prej bllokut rregullues, dolëm prej bllokut me Serbinë, me Shqipërinë, në mënyrë që me pasë mundësi me inkasu. Në asnjë mënyrë nuk është realizuar ndonjë marrëveshje pa probleme të vazhdueshme dhe pa degardim të vazhdueshëm”, tha ajo.

Në pritje të licencimit të kompanisë serbe

Pjesë e marrëveshjes për energji është edhe licencimi i një kompanie serbe e cila do të mbledh paratë nga qytetarët serbë që jetojnë në komunat me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës.

Që nga paslufta, banorët e katër komunave me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës, Leposaviq, Zubin Potok, Mitrovicë e Veriut dhe Zveçan nuk e paguajnë energjinë elektrike të cilën e shpenzojnë.

Deri në vitin 2017, energjia elektrike e shpenzuar në këto katër komuna iu është faturuar qytetarëve që i kanë paguar faturat e energjisë elektrike.

KOSTT-i, gjatë muajit dhjetor të vitit 2017, kishte paralajmëruar se do të obligohet të tërheq energji elektrike nga rajoni, pasi nuk kishte mjete të mjaftueshme për mbulimin e kostos së furnizimit të katër komunave veriore me energji elektrike.

Në mars të vitit 2018, tërheqja e energjisë elektrike nga tregu i rajonit kishte shkaktuar çrregullime në tregun e energjisë elektrike në Europë. Për këtë kishte reaguar edhe Rrjetin Europian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji Elektrike (ENTSO-E).

Sipas ENTSO-E, Rrjeti Europian i Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energjinë Elektrike, Sistemi Kontinental Evropian i Energjisë ka përjetuar “një devijim frekuence të vazhdueshme të sistemit nga vlera e saj mesatare prej 50 Hz” që nga mesi i janarit 2018, dhe ky devijim sipas tyre vjen nga Serbia dhe Kosova.

Energjia elektrike e shpenzuar në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës kap shumën prej 12 milionë euro. Që nga paslufta deri në vitin 2017, këto mjete janë paguar nga qytetarët e pjesës tjetër të Kosovës, ku faturat e tyre ishin për 3.5 për qind më të shtrenjta.

Pas padisë së Institucionit të Avokatit të Popullit, Departamenti Administrativ i Gjykatës Themelore të Prishtinës, në muajin shtator të vitit 2017 e kishte pezulluar ekzekutimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë sipas të cilit shpenzimet e energjisë elektrike të qytetarëve të komunave veriore të Kosovës, u faturoheshin konsumatorëve të tjerë.

Kuvendi i Kosovës gjatë muajit prill të këtij viti i ka miratuar rekomandimet e Komisionit parlamentar për Ekonomi, që KOSTT të marrë përgjegjësinë për mbulimin e humbjeve nga energjia elektrike e shfrytëzuar por jo e paguar në pjesën veriore të Kosovës, për gjashtë muajt e ardhshëm, si një fazë tranzitore deri në zgjidhjen e situatës në veri.

Këtë do ta bëjë duke shfrytëzuar të hyrat nga buxheti vetanak, pra këto mjete do të kompensohen nga dividenda apo ndonjë mekanizëm tjetër i mundshëm.

Regjistrimi dhe licencimi i një kompanie serbe është kërkuar në kuadër të dialogut në Bruksel në vitin 2013, ku Kosova dhe Serbia, kanë nënshkruar Marrëveshjen për energjinë.

“Drustvo Elektrosever” është regjistruar në Kosovë dhe Qeveria e Kosovës është shprehur se ajo është e lirë të vazhdojë me licencimin për furnizim me energji elektrike nga ZRrE. Por ZRrE akoma nuk e ka licencuar kompaninë “Drustvo Elektrosever”.

Kompania “Drustvo Elektrosever” që nga fundi i muajit dhjetor të vitit 2020 ka aplikuar për licencim.

“Të gjitha dokumentet që kërkohen me Rregullën për licencimin e aktiviteteve të energjisë janë dorëzuar”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Rregullatorit për Energji.

Edhe pse kanë kaluar më shumë se pesë muaj që nga dorëzimi i aplikacionit të kompanisë “Drustvo Elektrosever” në ZRrE, aplikacioni ende nuk është shqyrtuar për shkak se bordi i ZRrE-së është jofunksional.

“Sa i përket kritereve dhe përmbajtjes së dokumenteve ato duhet të shqyrtohen edhe nga Bordi i ZReE-së, i cili akoma nuk është funksional. Nga aspekti administrativ dosja do të jetë e gatshme,  por i përket Bordit të vendos për prioritetet dhe Agjendën e seancave të tij”, vazhdon përgjigjja e ZRrE-së.

Qeveria Kurti 2 ka shpallur konkurs për zgjedhjen e dy anëtarëve dhe kryesuesit të bordit të ZRrE-së. Ata nuk kanë vazhduar me emrat që ishin propozuar në Qeverinë e kaluar.

Nga viti 2008, kur edhe është shpallur pavarësia e Kosovës, në mënyrë të kundërligjshme Serbia ka shfrytëzuar rrjetin e transmisionit dhe konsiderohet se ka grumbulluar mbi 65 milionë euro të hyra.

“Dakordimet” për Ujmanin

Në shtator të vitit 2020 Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar marrëveshje për normalizim ekonomik në Shtëpinë e Bardhë, në kuadër të së cilës, bashkë me amerikanët, parashihet hartimi i një studimi të fizibilitetit me qëllim të përdorimit të përbashkët të Liqenit të Ujmanit, si furnizues i sigurt i ujit dhe energjisë.

Marrëveshja ishte arritur në kohën e administratës së presidentit amerikan Donald Trump, përderisa ende nuk dihet se cfarë do të ndodhë me fatin e Ujmanit, teksa në ShBA tashmë qeverisë Administrata e presidentit Joe Biden.

Në raportin “Big Deal” të BIRN-it theksohet Liqeni i Ujmanit është shtëpia e digës më të madhe të Kosovës, e cila ndodhet në Zubin Potok.

Ky liqen ka sipërfaqe prej 11.9 kilometra katrorë (nga të cilat 9.2 kilometra katrorë në territorin e Kosovës dhe 2.7 kilometra në territorin e Serbisë) dhe 370 milionë kub ujë.

Liqeni furnizon 60 për qind të ujit të pijshëm dhe është burimi kryesor për ftohjen e termocentralit në Obiliq, 10 kilometra nga Prishtina.

Kjo mbetet një nga pronat më të kundërshtuara mes Kosovës dhe Serbisë, dhe akoma nuk ka zgjidhje për të.