Kodi telefonik i Kosovës - Foto: REL

“Big Deal” i BIRN-it për marrëveshjen Kosovë - Serbi për telekomin, sfidat e zbatimit

Në fund të vitit 2016 Kosovës iu nda kodi telefonik +383, pas marrëveshjes së arritur në kuadër të dialogut me Serbinë, për telekomunikacionin, por zbatimi i plotë i këtij kodi zgjati me vite dhe dëmet financiare për shtetin e Kosovës nuk qenë të pakta.

Pavarësia telefonike e Kosovës ngjashëm me atë shtetërore kaloi nëpër një fazë tranzicioni që u përcoll me sfida ndërsa probleme pati implementimin e tërësishëm të kodit telefonik shtetëror +383.

Licencë të përkohshme për një telefoni mobile serbe, transfer i pronave të Telekomit të Kosovës tek operatori serb, janë vetëm disa nga koncesionet që i ka bërë Kosova për të arritur deri te kodi shtetëror telefonik.

Organizata  Ndërkombëtare e Telekomunikacionit (ITU) në pajtim me marrëveshjen e telekomit në dhjetor të vitit 2016 pati alokuar kodin telefonik për Kosovën.

Implementimi i tërësishëm i kodit shtetëror telefonik +383, fillimisht ishte paraparë të bëhet më 1 qershor të  viti 2018, por u shty me kërkesë të dy operatorëve telefonik, Telekomi i Kosovës dhe IPKO, deri më 31 tetor të 2018-ës.

Edhe pas kalimit të këtij afati, këta operatorë kërkuan që të kenë edhe një vit në dispozicion për të larguar nga përdorimi kodet ekzistuese +377 dhe +386.

Të gjitha vonesat pasuan me gjoba ndaj operatorëve, përfshirë edhe për ndërmarrjen publike Telekomi i Kosovës.

Në dhjetor të 2015, BIRN dhe Internews Kosova kishin publikuar raportin e “Big Deal”, në të cilin ishte analizuar dhe monitoruar implementimi i marrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë të dala nga procesi i dialogut në Bruksel.

Këtu mund ta gjeni raportin e vitit 2015 për implementimin e marrëveshjeve. Në këtë raport flitet edhe për marrëveshjen për telekomin.

Në këtë raport tregohet se një marrëveshje lidhur me telekomet u arrit më 8 shtator 2013 pas afro tri vitesh negocime.

Pika 13 e marrëveshjes së 19 prillit 2013 përcakton se “Diskutimet mbi energjinë dhe telekomin do të intensifikohen nga të dy anët dhe do të përfundohen deri më 15 qershor” dhe se kodi shtetëror do të jetë plotësisht operacional deri më 1 janar 2015.

Kjo nuk ndodhi, por si pjesë e pakos së marrëveshjes së 25 gushtit, u arrit marrëveshje mbi telekomin.

Marrëveshja përcaktonte se Austria, në emër të Kosovës, do të aplikonte tek ITU për kodin shtetëror +383. Kjo do të rregullohej më pas nga ARKEP, agjencioni rregullator. Menjëherë pas marrëveshjes, Ministrja e atëhershme Tahiri tha se thirrjet mes Kosovës dhe Serbisë do të jenë thirrje ndërkombëtare, ndërsa që Kryeministri i atherëshëm i Serbisë, Vuçiq, tha se “asgjë s’ndryshon”, dhe se “serbët nga Kosova, kur të thërrasin serbët në Serbi, prapë duhet të shtypin vetëm 011, dhe anasjelltas, kur ne thërrasim Mitrovicën, shtypim vetëm 028, pa kurrfarë kodesh tjera”.

Të premten, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në kuadër të diskutimit mbi ecurinë e deritanishme të procesit të dialogut me Serbinë sot në Kuvendin e Kosovës, përmendi edhe marrëveshjen me të dyja vendeve për kodin telefonik.

“Kishte aso që besonin se ai lloj i dialogut pa parime, do të përfundonte me një marrëveshje paqeje me Serbinë. Kështu për shembull në një raport të datës 27 gusht 2015 të ministres për dialog të qeverise, asokohe znj. Edita Tahiri, thuhej mes të tjerash  që përfitimet ekonomike të Kosovës nga marrëveshja për kodin telefonik do të ishin të mëdha, që do të kishte përmirësim të shërbimeve dhe ulje shumë të ndjeshme të kostos së operimit të ndërmarrjes publike Telekomi i Kosovës”, tha Kurti.