Marrëveshja e Doganave dhe Tregtisë së Lirë, një dekadë pazbatueshmëri

Një ndër marrëveshjet e para të arritura në dialogun teknik mes Kosovës dhe Serbisë, është edhe ajo e Doganave dhe e Tregtisë së Lirë.

Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë për vulat doganore dhe tregtinë e lirë është nënshkruar më 2 shtator 2011, e pas një dekade kjo marrëveshje është përmendur në Kuvendin e Kosovës si e pazbatuar nga ana e Serbisë.

Mimoza Kusari-Lila, Ushtruese e Detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës përmendi disa nga ngecjet e kësaj marrëveshjeje.

“Vitin e kaluar e kemi pasur një kompani serbe që gati e bleu operatorin e dytë të telefonisë mobile në Kosovë, ndërsa një kompani kosovare nuk mundet as me apliku, aq më keq nuk mundet mallrat e veta me i transportu nëpër territor të Serbisë. Kjo është shkelje e marrëveshjes mbi vulat doganore”, tha Kusari Lila.

Ajo përmendi se Serbia ende vazhdon të funksionoj me sistem paralel në Kosovë.

“Përveç faktit që e shkelin marrëveshjen mbi vulat doganore, Serbia ende e mbanë sistemin paralel që i ka vulat e qyteteve të Kosovës, siç është ajo e doganës së Prishtinës, që mbahet vulë aktive. Si mundet me qenë mini-shengeni i dobishëm, nëse Dogana e Republikës së Kosovës në këtë rast do të varet nga Dogana e Serbisë që nuk e njeh Kosovën”, theksoi ajo.

Edhe kryeministri, Albin Kurti përmendi këtë marrëveshje në mesin e marrëveshjeve për të cilat sipas tij ‘pala serbe në vazhdimësi i ka minuar përpjekjet e përbashkëta për sukses’.

“Kjo vërehet te një pjesë e madhe e marrëveshjeve, si për shembull tek energjia, menaxhimi i integruar i kufirit, shuarja e strukturave paralele, liria e lëvizjes, vulat doganore, përfaqësimi rajonal e të ngjashme. Në shumicën e rasteve, duke keqpërdorur skajshëm dykuptimësinë e ofruar brenda marrëveshjeve, por edhe mungesën evidente të kostos së mospërmbushjes së obligimeve të marra”, tha Kurti para deputeteve.

Marrëveshja e doganave dhe tregtisë së lirë është e bazuar në Marrëveshjen e Evropës Qendrore për Tregti të Lirë, CEFTA, në të cilën janë anëtare edhe vendet e Evropës Juglindore që janë jashtë BE-së.

Moszbatimi i kësaj marrëveshjeje nga ana e Serbisë ishte përmendur edhe në raportin e Qeverisë së Kosovës mbi Arritjet dhe Sfidat në Zbatimin e Marrëveshjeve të Brukselit të datës 18 qershor 2018.

“Pala e Kosovës ka ngritur vazhdimisht këtë çështje me ç’rast ka kërkuar nga Serbia që ta respektojë Marrëveshjen për vulat doganore të lidhur në vitin 2011. Serbia në mënyrë retorike premtoi që ta  zbatonte, por nuk arriti të bënte një gjë të tillë në praktikë. Për më tepër, lidhur me këtë çështje janë arritur shumë përfundime, të cilat Serbia nuk i ka zbatuar asnjëherë”, thuhet në raport.

Më 6 nëntor të vitit 2018, me në krye Ramush Haradinajn pati marrë vendim që të vendosë tarifë 10 për qind për importin e të gjitha produkteve të prodhuara në Republikën e Serbisë dhe në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Pak ditë më vonë, më 21 nëntor, Qeveria e Kosovës mori vendim që ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës të vendoset taksë 100 për qind.

Ky vendim i qeverisë Haradinaj, ‘ngriu’ dialogun me Serbinë, me ç’rast filloi edhe presioni i jashtëzakonshëm i Bashkimit Evropian dhe ambasadës së SHBA-ve për revokimin e menjëhershëm të saj.

Ndërsa zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Maja Kocijançiq kishte thënë se Kosova ka shkelur disa nga zotimet e Marrëveshjes së CEFTA-s me vendimin e saj për aplikim të tarifës.

“Këto masa janë një shkelje e qartë e obligimeve të Kosovës sipas CEFTA-s. Bashkimi Evropian pret që Kosova, që aktualisht është kryesuese e CEFTA-s të përmbushë plotësisht obligimet e kësaj organizate dhe të tërheqë masën”, ka thënë Kocijançiq më 6 nëntor për Radio Evropën e Lirë.

Haradinaj dha dorëheqje nga pozita e kryeministrit, pas ftesës nga Dhomat e Specializuara. Ndërsa pasardhësi i tij, Albin Kurti në prill të vitit 2020 mori vendim që taksën ta zëvendësonte me reciprocitet.

Mirëpo me rënien e qeverisë Kurti 1, qeveria e re e udhëhequr nga Avdullah Hoti mori vendim që të largonte masat e reciprocitetit.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë duke vazhduar diskutimin për procesin e dialogut të deritanishëm Kosovë Serbi në Bruksel.

Në dhjetor të 2015, BIRN dhe Internews Kosova kishin publikuar raportin e “Big Deal”, në të cilin ishte analizuar dhe monitoruar implementimi i marrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë të dala nga procesi i dialogut në Bruksel.

Këtu mund ta gjeni raportin e vitit 2015 për implementimin e marrëveshjeve.