Arkiv -Mbledhja e FFK-se foto KALLXOcom

Kryetari i FFK-së Agim Ademi mohon të ketë pasur konflikt, referi e dërgon rastin në Polici

Gjyqtari i Futbollit të Kosovës Bajram Gashi po pretendon se ka pasur një konflikt fizik me kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademin në objektet e federatës gjatë ditës së djeshme.

Mirëpo, Ademi deklaron se nuk ka pasur asnjë konflikt me askënd.

Gjyqtari Bajram Gashi në një prononcim për KALLXO.com tha se konflikti fizik mes tij dhe Agim Ademin ka ndodhur, ndonëse ky i fundit e mohon.

“Dje e kemi pas një konfrontim me kryetarin e federatës, i cili e ka demantu atë çfarë është thënë në media. Brenda në federatë ka pas diçka, nuk është çfarë ka thanë kryetari. Brenda në federatë ka ndodhë një konfrontim fizik mes meje si refer dhe kryetarit të federatës. Ai ka tentu me ma mshu mu i parë, me më kap, të më shtyj brenda dhe të më sulmu, gjë që edhe unë e kam kap për jakne. Ka dashtë të më godas, por s’ka mujtë se kanë ndërhy të tjerët”, tha gjyqtari Gashi në një prononcim për KALLXO.com

Gjyqtari Gashi e konfirmoi për KALLXO.com se e ka paraqitur rastin në Polici.

“Sot e kam lajmëruar Policinë, kam dhanë deklaratë. Ndihem shumë i rrezikuar nga kryetari i Federatës, ma ka hup imazhin, ma ka humb karrierën. Janë kamerat e sigurisë brenda që Policia e Kosovës mundet me i marrë edhe me pa rastin, nëse Agim Ademi nuk i fshin”, tha për KALLXO.com, referi Bajram Gashi.

Bajram Gashi thotë se që vit nuk është deleguar për të referuar në ndeshjen e supërligës së futbollit të Kosovës, por delegohet për në elita më të ulëta.

“Ai ka inati me mu. Që 1 vit nuk më qet me referu në superligë”, tha në mes tjerash Gashi.

Ndërsa kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi në një prononcim të shkurtë për KALLXO.com tha se nuk ka pasur konflikti brenda federatës.

“Kurrnifar konflikti s’ka pas dje. Unë s’merrem me refera. Absolutisht jo, s’ka pasur kurrnifar konflikti me asnjë njeri dje”, tha Ademi duke mos dashur të komentoj më shumë mbi këtë cështje.

Bajram Gashi në të kaluarën është parë në një video-incizim duke folur për ndeshjet që i ka referuar. AI në atë video-incizim ishte në tavolinë së bashku me trajnerin Ismet Munishi, që në atë kohë drejtonte K.F Drita.

“Unë e kam pas një rast që Policia më ka hetu, por unë jam i pastër, s’kam asnjë dënim as kurrgjë”, tha Gashi për KALLXO.com