Kryeshefi i Telekomit nuk paraqitet para Komisionit Parlamentar

Kryeshefi i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi nuk u paraqit sot për diskutim para Komisionit Parlamentar për Legjislacion.

Kryetarja e Komisionit për Legjislacion, Albulena Haxhiu tha se ai gjatë ditës së djeshme e ka pranuar ftesën, por sot në mëngjes ka njoftuar se nuk do të vijë pa asnjë arsye.

“Kjo gjë është e pa pranueshme sepse deri dje na ka thënë po kurse në mëngjes  tha që nuk do të vijë pa asnjë arsye, kjo gjë është e pakuptimtë”, tha Haxhiu.

Sipas deputetëve,diskutimi është kërkuar lidhur me një letër që kishte kërkuar nga punëtorët e Telekomit që të mos bëhet shpërndarja e informacioneve të ndërmarrjes me palët e treta.

Ndërsa, anëtarit të këtij komisioni nga PDK, iu duk e paarsyshme thirrja e Istrefit për diskutim.

“Për mua është e pakuptimtë sepse është e pa arsyeshme me e diskutu atë letër të dërguar punëtorëve. Po du me ditë nga kryetarja a është bo veç me bo diskutim politik”, tha Beqaj.

Haxhiu i tha Beqajt se letra bie ndesh me ligjin për Sinjalizues.

“Jemi dakordu, edhe atë ditë e kam thënë idenë tem, sepse letra bjen ndesh me ligjin për sinjalizues, qe ka për qëllim raportimin e shkeljeve, është dekurajim jo vetëm për punëtorët e postës por edhe  të tjerët dekurajohen sepse mendojnë që hakmerren. Mendoj se e kemi për detyrë që me reagu në veprime të tilla”, tha Haxhiu.

Ndërsa, anëtari nga PSD, Frashër Krasniqi tha se mos pranimi i shefit të Telekomit, Bedri Istrefi që të diskutojë është për keqardhje.

“Shprehi keqardhje sepse është një gjë e madhe nëse i kërcenon punëtorët e çdo ndërrmarje.  Jam kundër që si është pergjigje ftesës së kuvendit dhe duhet me dënu gjithë na. Shpresoj që nuk ka me qenë përgjigja e njejtë për komisionin hetimor te postës”, tha Krasniqi.

Edhe Sami Kurteshi nga VV e dënoi mungesën e Istrefit në komision.

“Unë i kam dorëzuar dy kallëzime penale dhe për këtë kam pasur shumë pyetje drejt tij, megjithatë ai nuk ka bë mirë që nuk ka ardh sot në komisioni”, tha ai.

Ndërsa, Shkumbim Demalijaj anëtarë në këtë komision nga AAK, tha se është e paligjshme të hyjmë ne organzimin e ndërmarrjeve publike.

“Mos të ngutemi në veprimtarinë tonë, ta shikojmë ligjin dhe konsideroj se nuk është e rëndësishme që me vrapu cili komision po e interviston Bedrin. Ne e kemi komisionin hetimor të telekomit dhe është e panevojshme me marrë punën e dikujt tjetër”, tha Demalijaj.

Bilall Sherifi nga Nisma Socialdemokrate tha se me faktin që ai ka pranuar të vijë dje ka qenë i gatshëm të ofrojë fakte.

“Jetojmë në kohën e Big Brother dhe të gjitha shihen sot s’kemi çka fshehim sot”, shtoi ai.