Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Bekim Haxhiu i drejtohet deputetes së LVV-së: Po frikësohesh që Uran Ismaili do t’ju mund në Prishtinë

Gjatë diskutimit për Projektligjin për amendamentimin 02 të Marrëveshjes bilaterale ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Dukatës së Madhe të Luksemburgut për Projektin e bashkëpunimit për zhvillim “KSV/017: Programi për mbështetje shëndetësore (pjesa II), deputetët e opozitës kanë kërkuar sqarime shtesë për këtë pikë.

Kryesuesja e Komisionit për Shëndetësi, Fatmire Kollqaku, tha se njëri nga anëtarët e Komisionit është në fushatë zgjedhore në garë për kryetar komune. Ajo tha se e kanë pasur mundësinë që në Komision të kërkojnë sqarime shtesë.

“Njëri nga përfaqësuesit e Komisionit është në fushatë elektorale për kandidat për kryetar komune dhe mungon në çdo takim të Komisionit. Për deputetin tjetër s’po me kujtohet a ka qenë, po e ka pas mundësinë me kërku informacione shtesë, nuk e kanë dhënë asnjë vërejtje në komisionin funksional e tash paraqiten këtu me kërkesa për sqarime, e kjo nuk është bo në kohën e duhur”, tha Kollqaku.

Kësaj deklarate i ka replikuar deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës Bekim Haxhiu, duke thënë se kryesuesja e Komisionit po frikësohet se deputeti Uran Ismaili do ta fitoj garën për Prishtinën.

“Nuk e di me kënd e pat replikën kryetarja e Komisionit, por nuk e di a po e sheh që ministri nuk është këtu, e ai e ka marr mandatin me udhëheq sektorin e shëndetësisë. Ty po të pengon a o kanë në mbledhje të Komisionit Uran Ismaili. E tash po frikësohesh që ka me dal në terren dhe ka me ju mujt në Prishtinë. Ajo është frika juaj, ty nuk po të pengon pse ministri i Shëndetësisë nuk ka ardhur me prezantuar projektin”, tha Haxhiu.

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës Saranda Bogujevci tha se kanë marr njoftim prej ministrit të Shëndetësisë Arben Vitia, se ka takime të rëndësishme dhe sipas saj e ka autorizuar ministrin Hekuran Murati ta prezantoj këtë projektligj.