Isa Mustafa dhe kryetarët e degëve të LDK-së - Foto: Atdhe Mulla

Kreu i LDK-së: Nuk e ndiej veten fajtor që e votuam Thaçin për president

Në konferencën e LDK-së, ku përfaqësimi i Kosovës në dialog nga Presidenti Hashim Thaçi u quajt antikushtetues, kreu i kësaj partie, Isa Mustafa tha se nuk e ndien veten fajtor që e votuan Thaçin për president, por ndihet i zhgënjyer.

Në pyetjen se a ndihet kreu i LDK-së fajtor që partia e tij votoi Thaçin për president, Isa Mustafa tha se ndihet i zhgënjyer, por jo fajtor.

“Nuk e ndiej veten fajtor, po të zhgënjyer në besimin që duhet ta kemi ne si subjekte politike, sepse ai besim ne po na mungon që ne të kapërcejmë procese të rëndësishme politike si ai i dialogut me Serbinë”, tha Mustafa.

Por, paraprakisht ai tha se nuk ia kanë mundësuar Thaçit të bëhej president, ngase ai i kishte votat e partisë së tij.

“Ne nuk ia kemi mundësuar Thaçit të bëhet president,  por Thaçi ia ka mundësuar vetvetes, sepse Thaçi ka qenë kryetari  i PDK-së dhe i ka pasë votat e partisë së vet dhe votat e veta si parti. Ne kemi bërë koalicion me Thaçin si kryetar të PDK-së dhe jemi marrë vesh që ata të më përkrahin mua për kryeministër dhe ne e kemi përkrahur atë për president”, tha Mustafa.

“Ndoshta kemi bërë faj që u kemi besuar. Sepse në moment kur është zgjedhur Thaçi president ata janë marrë vesh me gërmu edhe pse jena marrë vesh që asnjëra palë nuk do ta përkrahë mocionin për rrëzimin e Qeverisë”, tha ai.

Në këtë konferencë Mustafa tha se në dialogun me Serbinë askush nuk mund ta përfaqësojë Kosovën pa mandat nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

https://kallxo.com/mustafa-ne-dialogun-me-serbine-askush-nuk-mund-ta-perfaqesoje-kosoven-pa-mandat/