Kredi Milionëshe e Bankës Botërore për MAShT-in

Banka Botërore i dha sot kredi prej 11 milionë dollarëve Ministrisë së Arsimit, Shkencës e Teknologjisë.

Nënshkrimin e kredisë e bënë ministri i Financave Avdullah Hoti dhe drejtori i Zyrës së Bankës Botërore në Kosovë, Jan Peter Olters.

Kredia ka për qëllim përmirësimin e sistemit të arsimit në Kosovë.

I pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit ishte edhe ministri i Arsimit, Arsim Bajrami.

Bajrami tregoi se për çfarë do të përdoren mjetet e kredisë.

“Ne përmes kësaj kredie do të përmirësojmë cilësinë në të gjitha nivelet e arsimit. Kredia kap shumën prej 11 milionë dollarësh, prej të cilave 10 milionë investohen në arsimin parauniversitar dhe 1 milion për arsimin e lartë,” tha Bajrami.

Jean Peter-Olters nga Banka Botërore bëri të ditur se çfarë synon projekti.

“Nënshkrimi i sotëm i projektit për ‘Përmirësimin e Sistemit Arsimor në Kosovë’ është një intervenim me rëndësi kritike për t’u siguruar të rinjve të Kosovës mundësitë për të qenë të suksesshëm në tregun e punës,” deklaroi Olters.

Ministri i Financave Avdullah Hoti tha se kushtet e kredisë janë të volitshme dhe lehtësisht të përballueshme për Buxhetin e Kosovës.

Sipas Hotit me këtë kredi Ministria e Financave arrin vlerën totale të kredive me Bankën Botërore prej 88 milion eurove.

Kredia ka një afat kthimi prej 20 vjetësh, ndërsa do të zbatohet brenda 4 vjetësh.

Projekti për përmirësimin e arsimit që do të realizohet nëpërmjet kësaj kredie, duhet të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës.

Drejtori i Zyrës së Bankës Botërore për Kosovë Jean Peter Olters shpreson se ratifikimi do të ndodhë shpejt.