Glauk Konjufca - Foto: Atdhe Mulla

Konjufca: Kërkoj të Mos Votohet Kjo Marrëveshje!

Deputeti Glauk Konjufca në emër të grupit parlamentar të Vetëvendosjes i tha kryeministrit Haradinaj se sot i kanë sjellë zërat e 205 mijë qytetarëve të cilët kanë bërë thirrje përmes peticionit të nënshkruar që të rrëzohet ky Demarkacion i dëmshëm.

“Edhe vetë ke bërë përpjekje fizike për të futur këtu në Kuvend këto nënshkrime. E kemi një lutje për kryeministrin: Mos ua kthe shpinën këtyre qytetarëve”, tha Konjufca.

Tutje, Konjufca tha se sot do ta marrin një vendim. “Ndodhemi para një zgjedhjeje: do të përcaktohemi a t’i mbrojmë gabimet e Murat Mehës apo territorin. Besoj që ju thellë besoni në të parën. Ju ftoj te veproni sipas bindjeve dje jo sipas pozitës e pushtetit”, theksoi Glauk Konjufca.

Një prej vendimeve të mira të kësaj Qeverie ishte ajo e shkarkimit te komisionit të Murat Mehës.

Qëndrimi se njëherë duhet ta votojmë këtë Marrëveshje e pastaj ta ndryshojmë është një tallje me qytetarët.

“Sot kryeministri e ka borxh të na kallëzojë veç një gjë: personalisht a pajtohet me raportin e Komisionit që e ka emëruar vet, me Komisionin Bulliqi, kaq. Ngase deputetëve u mjafton vetëm kjo ta dinë si votojnë. Nëse kryeministri pajtohet me Komisionin Bulliqi, kjo Marrëveshje duhet të hidhet poshtë. E nëse pajtohet me Komisionin Meha, le të del e të tregoj se ka ndërruar qëllim”, theksoi Konjufca.

Sot kryeministri duhet t’i kërkojë falje Murat Mehës për përplasjen për fytyre të hartave, shtoi ai.