Dritëro Hyseni, LVV. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Vetëvendosje në Ferizaj kritikon Agim Aliun për parregullsi në ndërtime

Asamblisti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Dritëro Hyseni në debatin “Jeta në Komunë, tha se qeverisja komunale ka parregullsi të shumta, përfshirë në rregulloret për ndërtime.

“Du me fillu për pjesën që unë jam i bindur se Kuvendi Komunal së bashku me qeverisjen kanë pasur shumë parregullsi. Këtë mund ta vërtetojmë edhe përmes raportit të MAPL-së edhe me rregulloret e jashtëligjshme tcilat  i ka sjell kjo qeveri në Kuvendin Komunal dhe nëpërmjet aparaturës së votës kanë arritur edhe me i kalu. Një ndër to po dua ta cek është edhe Rregullorja për dhënin e pronës së paluajtshme të komunës për ndërtim”, shtoi asamblisti.

Hyseni kritikoi qeverisjen e PDK-së dhe parapraket sa i përket kaosit në trafikun rrugor të Ferizajt.

“Në qytetin e Ferizajt prej kryetarit të parë Adem Salihut e deri të z. Aliu kanë konsideruar që hekurudha është problemi i qytetit. Ka më shumë se një muaj që treni nuk kalon, por përsëri në qytet po vazhdojnë kolonat me orë dhe duhet së paku një ore për ta kaluar qytetin”, theksoi ai.

Kurse, kryetari i komunës, Agim Aliu sa i përket “vendimeve të jashtëligjshme” tha se Ferizaj e ka respektuar qind për qind parimin e ligjshmërisë.

Ai shtoi se ka kërkuar mirëkuptim nga qytetarët për tollovinë në trafik për shkak të projekteve që po bëhen në qendër.

“Në 2021-n shumica e këtyre projekteve përfundojnë dhe do të kemi funksionalitet të qendrës”, u zotua Aliu.