FOTO KALLXO- autobuset e linjave private

Si do përfitojnë kompanitë private të autobusëve nga subvencioni prej 400 mijë eurove?

Kuvendi i Komunës së Prishtinës gjatë mbledhjes së djeshme ka vendosur të ndajë 400 mijë euro për kompanitë private të autobusëve në linjat e transportit publik.

Këto mjete u ndanë për shkak të gjendjes financiare në këto kompani pas situatës me pandeminë COVID-19.

Shoqata e Kompanive Private të Transportuesve të Udhëtarëve ka më shumë se katër muaj që ka bërë kërkesë për ndihmë me mjete financiare.

Sipas diskutimeve në asamble, Komuna pritet të formojë një komision ku do caktohen kriteret përfituese për këto kompani, ku pjesëmarrës do jenë edhe përfaqësues nga Shoqata.

Izet Krasniqi, kryetari i Shoqatës, ka qenë në mbledhjen e asamblesë kur u fut në rend të ditës që të votohej kjo pikë.

Humbjet e Shoqatës janë mbi 1.4 milion euro vetëm gjatë kohës së pandemisë.

Në këtë shoqatë janë rreth 100 autobusë me kompani private, kurse linjat më të mëdha janë ato që kanë qarkullim në zonat urbane.

Në mesin e këtyre kompanive bëjnë pjesë linjat e autobusëve si: 10( Hajvali), 7A, 7B, 3A, 2, 5 dhe linja më të vogla.

Vlen të theksohet se linja 5 e autobusëve të qytetit nuk ka qarkulluar fare, për disa muaj, gjatë vitit të kaluar pasi nuk përmbushte kushtet për masat e vëna në parandalim të përhapjes së pandemisë COVID-19.

Prishtinë, Linja 5 e autobusëve është ndalur si shkak i humbjeve nga masat e pandemisë