Autobus i Trafikut Urban - Foto: Facebook/ Komuna e Prishtines

Prishtinë, Linja 5 e autobusëve është ndalur si shkak i humbjeve nga masat e pandemisë

Që nga fillimi i pandemisë COVID-19 janë shfaqur probleme të shumta në mjetet e bartjes së qytetarëve madje disa prej tyre që nuk kanë plotësuar kriteret e vendimeve të qeverisë janë dëmtuar edhe më shumë.

Këtë fat e pati ‘Linja 5’ e bartjes së udhëtarëve në Komunën e Prishtinës, e cila mbahet nga operatorë privat dhe nuk është në menaxhim në Ndërmarrjes Trafiku Urban.

Nga Komuna e Prishtinës për Kallxo.com u konfirmua ndalja e kësaj linje nga qarkullimi.

Sipas zyrës për informim kjo linjë ka pasur problem që nga fillimi i pandemisë për shkak të numrit të vogël të udhëtarëve dhe pas masave të qeverisë për numër të reduktuar të personave nuk ja kanë dal financiarisht t’i mbulojnë shpenzimet.

“Që nga fillimi i Pandemisë në disa linja që mbahen nga operatorët privat ka pasur problem për shkak të numrit të vogël të udhëtarëve. Linja “5” ka mjetet e transportit të tipit minibus , po ashtu për shkak të kufizimeve që kanë dalë me vendimet e qeverisë për parandalimin e përhapjes së virusit, që në mjetet e transportit të ketë numër të reduktuar të udhëtarëve, kjo ka ndikuar në zvogëlimin e të hyrave tek operatorët dhe nuk kanë mundur të qëndrojnë në aspektin financiar, kurse shpenzimet për mbajtjen e linjës janë të njëjta sikur më parë kur ka pasur udhëtarë në kushte normale,” ka qenë arsyetimi i kësaj linje për Komunën.

Kësaj linje i lëshohet leja e qarkullimit nga Komuna e Prishtinës prandaj arsyetimin për ndalje të operimit e kanë dhënë vetëm në Komunë.