Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Realizimi i premtimeve të Shpejtim Bulliqit për sigurinë publike

Shpejtim Bulliqi në kohën kur po kandidonte për herë të dytë për kryetar të Komunës së Podujevës kishte shpalosur planet e tij për sigurinë publike.

Në këtë aspekt, Bulliqi kishte ngritur si çështje mungesën e policëve me të cilën përballet stacioni policor në Podujevë.

“Unë po nisna nga fakti që ne jemi me një stacion policor që është në shkallën më të lartë por i cili i mungon numri i mjaftueshëm i policëve për me mbajtë sigurinë publike. E dyta kemi bë punë të madhe në vendosjen e kamerave në çdo rrugë gati dhe kemi projekt të vazhdojmë me këtë trend. Kemi një bashkëpunim të mirë me krerët e bashkësive fetare brenda përbrenda” – kishte thënë Bulliqi në DebatPernime në vitin 2021.

Problemi tjetër që Bulliqi kishte dhënë fjalë se do të vazhdohej të merrej ishte trajtimi i qenve endacakë, sepse siç thoshte atij “është një numër shumë i madh”’.

“Mbajmë mbledhje të rregullta me Këshillin për Siguri në Bashkësi edhe me KFOR-in dhe FSK për të parë se cilat janë shqetësimet e qytetarëve. Pastaj kemi bërë projektin dhe jemi duke e realizu çështjen e trajtimit të qenve endacakë sepse është një numër shumë i madh. Jemi duke i trajtuar për ditë” – kishte deklaruar Bulliqi.

Përveç asaj, kryetari Bulliqi i bindur ishte shprehur për rritjen e numrit të psikologëve nëpër shkollat e Podujevës.

Ndër të tjerat, ka deklaruar se do të bashëkpunojnë “shumë” me Qendrën për Punë Sociale, nën arsyetimin se “ është rritur edhe numri i rasteve të dhunës në familje”.

Një vit nga mandati i ri, KALLXO.com ka kërkuar raportin nga kryetari Shpejtim Bulliqi lidhur me premtimet e tij në sigurinë publike të Podujevës.

Edhe pas një viti, Komuna e Podujevës vazhdon të përballet me mungesën e policëve.

Madje kryetari Bulliqi thotë se tashmë mungesat janë shtuar pasi një numër i policëve janë angazhuar në veri të vendit për shkak të situatës së krijuar në atë pjesë. 

“Nuk kemi progres, por vetëm regres” – thotë Bulliqi.

45 deri 50 zyrtarë policorë, minimalisht, do të mund t’i plotësonin nevojat që ka stacioni policor, sipas kryetarit Bulliqi. 

“Ende nuk qëndrojmë mirë, për arsye siç e dini edhe ju kjo është ekzluzivisht kompetencë e nivelit qendror sepse Policia e Kosovës menaxhohet nga niveli qendror. Duke marrë parasysh nivelin e sotëm të stacionit që ndodhet, pra kategorinë e parë dhe numër të personelit që posedon stacioni jonë, nuk jemi të kënaqur. Këta ende e vështirëson situata e krijuar në veri. Ku numri i policëve nga stacioni janë angazhuar në detyra shtesë” – thotë Bulliqi.

Në intervistën për KALLXO.com ai ka shpresa se me gjeneratën e re, në vitin 2023, do të plotësohen vendet e nevojshme. 

“Mungesa e numrit të policëve në stacionin policor të Podujevës po e vështirëson edhe kryerjen e punëve dhe shpesh për shkak të këtyre kufizimeve. Dhe tek në vitin 2023, nga informatat që kam që del një gjeneratë e re, do të plotësohen vendet vakante në stacionin policor” – ka thënë kryetari i Podujevës. 

Policia e Kosovës ka shpallur konkurs më 27 tetor 2021 për zyrtarë policorë. 

Ky konkurs, aktualisht është në fazën e testimit psikologjik dhe kontrollimit mjekësor. Sipas njoftimit të datës 27 dhjetor 2022, këtij testimi do t’i nënshtrohen 470 kandidatë. Kjo fazë pritet të përfundojë në fillim të muajit shkurt 2023. 

Për mbulimin me kamerat, Bulliqi thotë se në këtë pikë qëndrojnë mirë.

“Në këtë aspekt qëndrojmë mirë, krejt rrugët kryesore të qytetit janë të mbuluara me kamera, ne si institucione i mbulojmë në kuptimin e mbulushërisë financiare ndërsa mbikëyqrjen e bënë drejtpërdrejt stacioni policor.  Projekti i fundit ka qenë këtyre ditëve, është në fazën e fundit. Prej vitit në vit ndajmë mjete për me mujtë me zgjeru rrjetin e kamerave në rrugët që janë të nevojshme”  – u shpreh ai. 

Kryetari Bulliqi ka përmendur incidentet që kanë ndodhur me imamët e dy xhamive gjatë këtij viti. 

“Për çdo shqetësim që mund të paraqitet, ne angazhojmë takime individuale me bashkësine islame, por disa mbahen edhe përmes këshillit për siguri në bashkësi. Ato që kemi pas shqetësim janë disa dukuri, ose celula të dukurive të një grupacioni islamik që veprojnë, që fatkeqësisht janë prezente edhe në komunën tonë. Kemi pasur disa probleme me imamin e Xhamisë së Halabaku-ut. Bashkësia Islame është marrë me të, situata tash është më e qetë, por tendencat vazhdojnë” – ka thënë ai.

KALLXO.com ka raportuar për incidentin e regjistuar më 21 korrik 2022, ku tre persona dyshohet se kanë sulmuar imamin e xhamisë në fshatin Lupç të Podujevës.

Tre të pandehurit, sipas Prokurorisë dyshohet se në bashkëkryerje dhe me dashje kanë tentuar që ta privojnë nga jeta imamin, duke e goditur me mjete të forta.

Lidhur me rastin kishte reaguar edhe Bashkësia Islame e Kosovës (BIK). Ata kishin dënuar sulmin që ishte bërë ndaj Berishës dhe e kishin cilësuar si akt të papranueshëm.

Po atë muaj [korrik 2022] edhe një incident tjetër ishte regjistuar para xhamisë në fshatin Halabaku. Aty imami është penguar nga xhemati që të hyjë në xhami dhe ta ushtrojë funksionin e tij, pasi që konsiderohet si i palegjitimuar nga BIK. Policia për këtë rast kishte vënë nën pranga 7 persona. 

Në anën tjetër, për çështjen e psikologëve nëpër shkollat e Podujevës, Bulliqi thotë se akualisht kanë të angazhuar 10 psikologë. Podujeva ka 32 shkolla fillore dhe tri të mesme të larta.

“Nga ajo që thuhet për numër në kokë të nxënësit, sot kemi 10 psikologë që i kryejnë detyrët, pra nga numri i mbi 16 mijë nxnësve [niveli i ultë dhe i mesëm të lartë]. Kemi rritë numrin e psikologëve, edhe pse jo mjaftueshëm. Kemi marrë 3-4 psikologë, dy janë në procedurë. Në shkolla të mesme të larta i kemi gjetë pa psikologë, ka psikologë nëpër këto shkolla. Pritet që ky numër të rritet konform numrit të nxënësve” – ka thënë ai.

Më tej, lidhur me trajtimin e rasteve të dhunës në familje, një vit pas Shpejtim Bulliqi thotë se në këtë pjesë “nuk kanë numër të lartë”.

Ai shton se Qendra për Punë Sociale është bërë me dy zyrtarë të ri të personelit. 

“Komuna e Podujevës qëndron në kategorinë e vendeve që kanë numër jo të lartë të dhunës në familje. Kjo është sipas statistikave që i kemi ne, dhe kësisoji, për këto raste, kemi pasur një angazhim të mirë edhe me OSBE-në, ku financojmë për strehimore për këto raste, por edhe për fëmijtë. Edhe Qendra për Punë Sociale është fresku me dy zyrtarë të ri të personelit që punojnë në shërbime me qytetarët, dhe kësisoji po bashkëpunojmë edhe Policinë e Kosovës, por edhe me organizata që i menaxhojnë këto raste” 

Tek çështja e Këshillit të Sigurisë në Bashkësi, në faqen zyrtare të Komunës së Podujevës, figuron se më 5 dhjetor 2022 është mbajtur mbledhja e fundit. Aty thuhet se në këtë mbledhje është diskutuar mes tjerash edhe për rastet e dhunës në familje.

Sipas këtij njoftimi thuhet se lidhur me gjendjen e sigurisë në komunë komandanti i Stacionit Policor, Nijazi Jashari, i cili citohet të ketë thënë se 75 raste të raportuara për dhunë në familje në vitin 2022 në Komunën e Podujevës, 30 prej këtyre rasteve janë në ndalim të policisë, 22 raste janë me urdhër mbrojtje, dhe 4 raste janë dërguar në strehimore.