Ilustrim

BIK: Dënojmë ashpër sulmin ndaj imamit të xhamisë së fshatit Lupç

Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) ka dënuar sulmin ndaj imamit të xhamisë së fshatit Lupç të Podujevës, Zeqir Berisha.

Sipas BIK, sulmi ndaj imamit në hapësirat e xhamisë është akt i papranueshëm.

“Dënojmë me ashpërsinë më të madhe sulmin mbi imamin e xhamisë së fshatit Lupç, të komunës së Podujevës, Zeqir ef. Berishës. Sulmi i mbrëmshëm mbi imamin në hapësirat e xhamisë, në vendin e tij të punës, është akt i papranueshëm, madje përveçse sulm mbi imamin është edhe atak mbi xhaminë dhe xhematin e respektuar”, thuhet nga BIK.

Tutje, BIK thonë se sulmi ndaj imamit si autoritet është sulm ndaj vlerave dhe misionit që përfaqëson, rrjedhimisht edhe sulm ndaj Bashkësisë Islame të Kosovës.

“Imami është autoriteti më i lartë fetarë në xhematë, andaj atakimi i tij është atakim i vlerave dhe misionit që përfaqëson ai, e në këtë rast është edhe atak mbi Bashkësinë Islame të Kosovës”, thuhet më tej në komunikatë.

BIK potencon se mbështesin dhe i qëndrojnë afër imamit, kurse nga xhemati kërkojnë që të distancohen nga autorët e sulmit.

Po ashtu, nga organet e drejtësisë kërkojnë që të japin vendimet e duhura.

“Sepse është sulmuar imami – autoriteti zyrtar fetar në vendin e tij të punës, si dhe është atakuar hapësira e xhamisë, e cila është e dedikuar për lutje e ibadete”, thuhet në njoftim.