Zbardhet dosja e Prokurorisë - Imami në Lupç u tentua të vritej

Tre persona po dyshohen se më 21 korrik të këtij viti kanë sulmuar imamin e Xhamisë në fshatin Lupç të Podujevës, Zeqir Berishën.

Për ta, në dosjen e Prokurorisë të siguruar nga KALLXO.com thuhet se ekziston rreziku se të pandehurit do t’i qasen arratisë për t’i shmangur përgjegjësisë penale.

Kjo, sipas kësaj dosje mund të ndodhë pasur parasysh faktin se për këto vepra penale parashihet dënim i lartë me burgim.

“Ekziston rreziku se të pandehurit do t’i qasen arratisë për t’i shmangur përgjegjësisë penale , duke pasur parasysh faktin se për këto vepra penale parashihet dënim i lartë me burgim dhe kështu do ta pengonin mbarëvajtjen e procedurës penale”, thuhet në dosje.

Tre të pandehurit, B.M, 27 vjeçar, A.M., 29 vjeçar dhe Sh.M., 26 vjeçar më datën e lartcekur dyshohet se e kanë sulmuar me mjete të forta imamin e xhamisë në fshatin e tyre duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Si pasojë e këtyre lëndimeve, sipas dosjes së Prokurorisë, imami është në rrezik për jetë. Ai thuhet se ka pësuar tri fraktura në kokë dhe një në dorën e djathtë.

Dosja, po ashtu tregon se tre të pandehurit, që gjenden në ndalim që nga orët e para të 22 korrikut, kanë pasur edhe më herët mosmarrëveshje me të dëmtuarin.

Madje, sipas dosjes, kjo tregon rrezikun se të pandehurit mund të përsërisin veprat penale të njëjta apo të ngjashme, apo edhe të përfundojnë veprën e tentuar penale.

“Pesha e veprës penale, mënyra ose rrethanat në të cilat është kryer vepra penale, sjellja e mëparshme e tyre, faktin se të pandehurit më herët kanë pasur mosmarrëveshje me të dëmtuarin – dëshmitarin Zeqir Berisha, i cili si pasojë e veprës penale gjendet në gjendje të rrezikshme për jetën, tregojnë rrezikun se të pandehurit mund të përsërisin veprat penale të njëjta apo të ngjashme, apo të përfundojnë veprën e tentuar penale”, thuhet në dosjen e siguruar nga KALLXO.com.

KALLXO.com ka raportuar edhe më herët lidhur me rastin ku është treguar se si u sulmua imami i Xhamisë së Lupçit.

Imami për lëndimet e rënda trupore, tri fraktura në kokë dhe një në dorë që ka pësuar, iu është dashur të kryer edhe një operim.

Ai ishte dërguar me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe gjendet edhe në rrezik për jetë.

Tre të pandehurit, sipas Prokurorisë dyshohet se në bashkëkryerje dhe me dashje kanë tentuar që ta privojnë nga jeta të dëmtuarin. Ata thuhet se e kanë goditur me mjete të forta të dëmtuarin, pra imamin e Xhamisë.

“Ekziston dyshimi i bazuar se me datën 21 korrik 2022 rreth orës 22:00, te Xhamia në fshatin Lupç, Komuna e Podujevës, të pandehurit në bashkëkryerje, me dashje që ta privojnë nga jeta, e kanë goditur me mjete të forta të dëmtuarin – dëshmitarin, Zeqir Berisha, Imam i Xhamisë, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore”, thuhet në dosje.

Lidhur me rastin kishte reaguar edhe Bashkësia Islame e Kosovës (BIK). Ata kishin dënuar sulmin që ishte bërë ndaj Berishës dhe sulmin ndaj tij e kishin cilësuar si akt të papranueshëm.

“Dënojmë me ashpërsinë më të madhe sulmin mbi imamin e xhamisë së fshatit Lupç, të komunës së Podujevës, Zeqir ef. Berishës. Sulmi i mbrëmshëm mbi imamin në hapësirat e xhamisë, në vendin e tij të punës, është akt i papranueshëm, madje përveçse sulm mbi imamin është edhe atak mbi xhaminë dhe xhematin e respektuar”, thuhej në reagimin e BIK-ut.

Tutje, ishte thënë se sulmi ndaj imamit si autoritet është sulm ndaj vlerave dhe misionit që përfaqëson, rrjedhimisht edhe sulm ndaj Bashkësisë Islame të Kosovës.

“Imami është autoriteti më i lartë fetar në xhematë, andaj atakimi i tij është atakim i vlerave dhe misionit që përfaqëson ai, e në këtë rast është edhe atak mbi Bashkësinë Islame të Kosovës”, thuhej më tej në komunikatë.

BIK potencoi se mbështesin dhe i qëndrojnë afër imamit, kurse nga xhemati kërkojnë që të distancohen nga autorët e sulmit.

Po ashtu, nga organet e drejtësisë kërkojnë që të japin vendimet e duhura.

Dosja e Prokurorisë: Të dyshuarit që sulmuan imamin e Xhamisë në Lupç kanë pasur edhe më herët mosmarrëveshje me të