Foto arkiv; Seanca e paraburgimit
Vdekja e 18 vjeçarit pasi i ranë pllakat në kokë, të dyshuarit lirohen nga paraburgimi me kërkesë të prokurorit Beqë Shala
Gjykata e Prizrenit ka vendosur të ndërprejë paraburgimin dhe t’i lirojë gjashtë të dyshuarit për rastin ku një punëtor humbi jetën pas lëndimeve në vendin e punës.
“Ndërprehet masa e paraburgimit ndaj të pandehurve Namik Gashi, Drilon Krasniqi, Armend Thaçi, Canë Krasniqi, Hilmi Krasniqi dhe Skender Krasniqi, të njëjtit lirohen menjëherë më datë 25.10.2023”- thuhet në aktvendimin e siguruar nga KALLXO.com.
Kërkesën për këtë vendim e ka paraqitur prokurori i çështjes, Beqë Shala, dhe kjo është aprovuar nga gjykatësja Vjollca Buzhala.
18-vjeçari, A. K., humbi jetën me 30 shtator të këtij viti pasi pësoi lëndime të rënda në vendin e punës.
Sipas hetimeve të Prokurorisë, dyshohet se pasi A. K., kishte shkuar për të marr material ndërtimor, pllakat – qeramikat i kanë rënë në kokë.
Fillimisht, më datë 6 tetor, gjykata kishte caktuar paraburgim prej 30 ditësh për të dyshuarit. Megjithatë, avokatët e të pandehurve, Blerim Mazreku, Bekim Parallangaj, Hasan Biraj, Drenusha Berisha, Erzana Shehu- Mazrek dhe Leonita Qevani, paraqitën ankesë në Gjykatën e Apelit.
Gjykata e Apelit, pasi shqyrtoi ankesat e mbrojtësve, më datë 23 tetor të këtij viti i refuzoi ato si të pa bazuara. Në vendim, gjykata theksoi se paraburgimi ishte i drejtë dhe i arsyeshëm në këtë fazë të procesit.
Pas dy ditësh, më datë 25 tetor, prokurori i çështjes, Beqë Shala, paraqiti një kërkesë për ndërprerjen e paraburgimit të të dyshuarve në shkallë të parë.
Ai kërkoi lirimin e të pandehurve duke vlerësuar se kishte bazë ligjore për këtë vendim.
Prokurori argumentoi se hetimi ishte ende në fazën e grumbullimit të provave, dhe disa prova ishin tashmë të mbledhura, ndërsa pritej të mblidhen edhe prova të tjera në të ardhmen.
“Në bazë të rrethanave të cekura më lartë pasi që hetimi në këtë çështje penale është në fazën e grumbullimit të provave, disa prova deri tani janë mbledhur, ndërsa ne jemi në pritje të provave të tjera”- thuhet në kërkesën e Prokurorisë të siguruar nga KALLXO.com.
Prokurori gjithashtu vlerësoi se të pandehurit mund të qëndronin në liri pa ndikuar në zhvillimin e procedurave hetimore.
“Me lënien në liri të të pandehurve mund të zhvillohet procedura hetimore pa u penguar. Kjo nga fakti se nga të gjithë të pandehurit janë marrë deklaratat dhe ata nuk mund të ndikojnë në dëshmitarët e tjerë”- sqarohet në kërkesë.
Gjyqtarja e rastit, Vjollca Buzhala, më datë 25 tetor, aprovoi kërkesën e prokurorisë për ndërprerjen e paraburgimit duke e vlerësuar të bazuar në faktet dhe argumentet paraqitura.
“Gjyqtarja e procedurës paraprake pas vlerësimit të kërkesës së prokurorit të shtetit dhe shkresave të lëndës gjeti se kërkesa është e bazuar”- thuhet në aktvendim.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, Namik Gashi, më 29 shtator 2023, mes orës 08:00 dhe 09:00, në Prizren, në vendpunishten “Lirimi 1” i pandehuri si përgjegjës-pronar për sigurinë dhe shëndetin në vendin e punës nuk i instalon pajisjet mbrojtëse, nuk i mirëmban ato në gjendje të rregullt për punë, nuk siguron përdorimin e tyre kur është e nevojshme apo nuk vepron në pajtim me dispozitat apo rregullat teknike mbi masat për sigurinë në vendin e punës dhe me këtë rrezikon jetën e njerëzve, ku rezulton me vdekjen e një apo më shumë personave.
Sipas Prokurorisë, i pandehuri si pronar i firmës “Namik’”, nën përgjegjësinë e tij, nga punëtorët e firmës, pllakat e qeramikës vendosen në ballkonin e ndërtesës së katit të dytë, ku më 30 shtator 2023, të njëjtat pllaka nga kati i dytë rrëshqasin dhe i bien në kokë A. K., i cili kishte shkuar në vendpunishte për furnizim me material ndërtimor.
Si pasojë e lëndimeve të marra, A. K. vdes në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Me këto veprime kishte për të kryer veprën penale asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës.
Të pandehurit Drilon Krasniqi dhe Armend Thaçi më datë, kohë dhe në vend të njëjtë, si punëtorë të firmës “Namik”, nuk veprojnë sipas dispozitave apo rregullave teknike mbi masat për sigurinë në vendin e punës.
Në kërkesë thuhet se të pandehurit si punëtorë të firmës, i bartin pllakat-qeramikat nga pjesa e brendshme e ndërtesës dhe i vendosin në ballkonin e katit të dytë të ndërtesës, ku më 30 shtator 2023, të njëjtat pllaka qeramike nga kati i dytë rrëshqasin dhe i bien në kokë A. K., i cili kishte shkuar në vend punishte për furnizim me material ndërtimor dhe si pasojë e lëndimeve të marra i njëjti ndërron jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Me këto veprime kishin për të kryer veprën penale – asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikim i sigurisë në vendin e punës.
I pandehuri Canë Krasniqi më 30 shtator 2023, rreth orës 09:15, në Prizren, në vendpunishten “Lirimi 1” si përgjegjës për sigurinë dhe shëndetin në vendin e punës i cili nuk i instalon pajisjet mbrojtëse, nuk i mirëmban ato në gjendje të rregullt për punë, nuk siguron përdorimin e tyre kur është e nevojshme apo nuk vepron në pajtim me dispozitat apo rregullat teknike mbi masat për sigurinë në vendin e punës.
Në atë mënyrë që i pandehuri si pronar i firmës “Sacolor”, nën përgjegjësinë e tij, nga punëtorët e firmës, pllakat e qeramikës që ishin vendosur një ditë më përpara në ballkon, zhvendosen nga ajo pjesë e ballkonit dhe vendosen në pjesën tjetër të ballkonit të katit të dytë të ndërtesës. Të njëjtat pllaka sipas Prokurorisë nga kati i dytë rrëshqasin dhe i bien në kokë A. K., i cili kishte shkuar në vendpunishte për furnizim me material ndërtimor dhe si pasojë e lëndimeve të marra i njëjti ndërron jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Me këto veprime kishte për të kryer veprën penale – asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikim i sigurisë në vendin e punës.
I pandehuri Hilmi Krasniqi dhe Skender Krasniqi më datë, kohë dhe në vend të njëjtë të përshkuar si në pikën IV të dispozitivit të kësaj kërkese për caktimin e paraburgimit, si punëtorë të firmës “Sacolor” nuk veprojnë në pajtim me dispozitat apo rregullat teknike mbi masat për sigurinë në vendin e punës.
Në atë mënyrë që i zhvendos pllakat e qeramikës që ishin vendosur një ditë më përpara në ballkon nga njëra pjesë e ballkonit në pjesën tjetër të ballkonit të katit të dytë të ndërtesës, ku të njëjtat pllaka-qeramika nga kati i dytë rrëshqasin dhe i bien në kokë A. K., cili kishte shkuar në vendpunishte për furnizim me material ndërtimor dhe si pasojë e lëndimeve të marra kishte vdekur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Me këto veprime kishin për të kryer veprën penale – asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikim i sigurisë në vendin e punës.