Avokati Hamdi Jashari, Foto: KALLXO.com

Supremja merr një vendim për avokatin e dyshuar se i mori për 8 mijë euro nga pala për t’ia dhënë gjyqtarit

Gjykata Supreme e ka liruar nga masa e paraburgimit avokatin Hamdi Jashari, i cili dyshohet se ka pranuar shumën prej 8 mijë euro nga pala për të ushtruar ndikim tek gjyqtarët. I njëjti do të mbrohet në liri.

Këtë për Kallxo.com, e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Supreme, Antigona Uka- Lutfiu.

Lidhur me lirimin nga masa e paraburgimit të të pandehurit Jashari, Kallxo.com ka kontaktuar edhe avokatin mbrojtës të tij Shemsedin Piraj, i cili në përgjigjen e tij konfirmoi se: ”Gjykata Supreme e Kosovës në aktgjykimin Pml.nr 508/2023, me datë 5 tetor 2023, ka marrë aktgjykim dhe ka pranuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërise të avokatëve të të pandehurit Hamdi Jashari dhe ndryshohen aktvendimet e Gjykatës Themelore në Prishtinë të datës 07 shtator 2023 dhe aktvendimit të Gjykatës së Apelit të datës 15 shtator 2023 dhe të pandehurit i ndërpritet masa e paraburgimit dhe i njëjti mbrohet në liri”.

Gjykata e Prishtinës më 8 shtator 2023, kishte vendosur që për herë të dytë t’ia vazhdojë paraburgimin edhe për dy muaj të tjerë, avokatit Hamdi Jashari, i cili dyshohet se mori 8 mijë euro nga një palë në Gjykatën e Gjilanit për t’ia dhënë kolegjit të gjyqtarëve.

Fillimisht të njëjtit i ishin caktuar 30 ditë paraburgim. Kjo masë i ishte vazhduar edhe për dy muaj të tjerë më 7 korrik 2023 nga Gjykata e Prishtinës.

Avokati Hamdi Jashari ishte arrestuar më 8 qershor 2023, nën dyshimin për ushtrim ndikimi.

Sipas njoftimit të Policisë, i dyshuari ka kërkuar dhe pranuar para në shumën prej 8 mijë euro nga një palë në procedurë në Gjykatën e Gjilanit me premtimin që këto para do t’ia japë kolegjit të gjyqtarëve, në mënyrë që të njëjtit të nxjerrin vendim në favor të palës së mbrojtur nga i dyshuari.