Ministri Pal Lekaj dhe dy bashkëpartiakë të tij, Gani Dreshaj e Bekë Berisha, inspektojnë një rrugë në rajonin e Istogut - Foto: Facebook

Komuna e Gjakovës me borxhe të papaguara nga vitit 2011

Në komunën e Gjakovës është bërë menaxhimi i keq i obligimeve nga furnitorët. Obligimet e papaguara në komunën e Gjakovës datojnë që nga viti 2011. Si pasojë e këtyre vonesave përmes buxhetit të komunës nga proceset gjyqësore janë paguar rreth 725 mijë euro. Gjatë vitit 2011 dhe 20123, kryetar i Komunës së Gjakovës ishte Pal Lekaj, i cili tash është ministër i Infrastrukturës.

Kjo dobësi është evidentuar në Raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për pasqyrat financiare të Komunës së Gjakovës për vitin e përfunduar me 31 dhjetor 2017.

“Obligimet nuk janë paguar për shkak të hyrjes në to, pa u siguruar mjetet buxhetore. Si rezultat i mos pagesës me kohë të obligimeve ndaj furnitorëve, përmes procedurave gjyqësore dhe nga Thesari, nga buxheti i Komunës janë kryer pagesa në vlerë 724,669€”, theksohet te gjetjet e auditorit.

Hyrja në obligime pa u siguruar paraprakisht mjetet financiare si dhe mos pagesa me kohë e obligimeve, Auditori thotë se është rrezik se mund të shkaktojë kosto shtesë dhe dëmtim të buxhetit nga ngritja e padive gjyqësore prej furnitorëve.