Katër Vetura Zyrtare në Flakë

Raste të tilla kanë ndodhur në Prizren, Pejë, Mitrovicë dhe Gjilan, në të cilat shënjestër kanë qenë veturat e gjykatave, prokurorive dhe administratës tatimore.

Rasti i parë ka ndodhur rreth orës 22:50 në rrugën “Ersen Mazreku”në Prizren ku i është vënë zjarri veturës zyrtare Audi A4 me tabela 4Z-231-02 pronë e Gjykatës se Apelit.

Në rastin e dytë, rreth orës 23:05 në parkingun e Gjykatës për Kundërvajtje në Pejë i është vënë zjarri veturës Toyota me targa 4Z-160-02.

E treta që ka pësuar ka qenë një veturë zyrtare në parkingun e komunës së Mitrovicës rreth orës 00:03. Makina ishte pronë e Administratës Tatimore.

Ndërsa rreth orës 23:35, në parkingun e Prokurorisë ne Gjilan i është vënë zjarri veturës zyrtare Reno Megane me tabela 4Z-138-03 pronë e Prokurorisë.

“Policia e Kosovës është duke kryer hetime intensive për zbardhjen sa më parë të këtyre rasteve te cilësuara si zjarrvënie, të cilat dyshohet se janë djegur qëllimshëm nga persona te dyshuar”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Policia dyshon se, referuar hetimeve te para dhe intervaleve kohore të rasteve te ndodhura, këto veprime te personave te dyshuar kanë qenë te koordinuara dhe të centralizuara.

“Zbatimi i ligjit, garantimi i rendit dhe qetësisë publike, ruajtja e pronës publike dhe asaj private është detyre e PK-së, andaj Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar ne hetimin dhe zbardhjen sa me pare te këtyre rasteve”, thuhet në komunikatë.

Policia gjithashtu kërkon bashkëpunimin e qytetareve me qëllim të parandalimit të rasteve të tilla të dëmtimit të pronës shtetërore.

Foto: Ilustrim