Sahatqija: Kosova të investojë më shumë në sigurinë kibernetike

Institucionet e Kosovës duhet të investojnë më shumë në sigurinë kibernetike,. Kështu është thënë në konferencën e Integritetit të Informacionit me temën “Siguria Kibernetike: A është dezinformimi kërcënimi tjetër i madh?”.

Teuta Sahatqija, ambasadore e grave në teknologji në Kosovë, tha se Kosova duhet të investojë më shumë sa i përket kësaj fushe.

“Mendoj se në këtë aspekt ka një zhvillim por kjo duhet të jetë shumë më e shpejtë pasi që zhvillimet në botën e teknologjisë po shkojnë tepër më shpejt sesa një përgjigje që mund të merret nga institucionet. Ne po flasim për fillimin e veprimeve për mbrojtje kibernetike, por në anën tjetër po e shohim që prej fillimi të këtij viti, inteligjenca artificiale është duke u zhvilluar maksimalisht dhe kjo fushë e afekton edhe sigurinë kibernetike” – tha Sahatqija në këtë konferencë.

Ajo ka thënë se siguria kibernetike nuk njeh kufij andaj duhet bashkëpunim rajonal e më gjerë.

“Sa herë që të ketë sulme, ai nuk shkon direkt por lëviz nëpër krejt botën në shumë servera derisa të vjen aty ku je ti. Prandaj bashkëpunimi ndërkombëtar është tepër i nevojshëm. Pra, po, mbrapa jemi dhe duhet një investim urgjentisht sepse pa investim nuk kemi situatë të mirë” – tha më tej ajo.