Pse në media diskutohet pak ose fare për sigurinë kibernetike?

Flutura Kusari, juriste e të drejtës së medias, tha se në mediat kosovare nuk diskutohet fare për temën e e sigurisë kibernetike.

Ajo në konferencën e Integritetit të Informacionit me temën “Siguria Kibernetike: A është dezinformimi kërcënimi tjetër i madh?”, tha se më së liri për mediat është raportimi për jetën politike.

“Çka bëhet në ZKM, në kuvend, eventualisht në gjykata, është lirë, kushton pak, e dërgon një gazetar, tha ky – tha ai edhe me aq kryhet. Çka na shohim në media reflekton investimin që bëhet në to” – tha ajo.

Sipas Kusarit tema për sigurinë kibernetike nuk sjell klikueshmëri.

“Për këto tema kërkohet investim, kërkohet që mediat me pasë gazetarë që e përcjellin një fushë të caktuar rregullisht, pra gazetarë të profilizum, shumica prej tyre s’kanë gazetarë të profilizum, pra për këto tema bëhet lajm veç kur ka problem, është njëfarë intervenimi i shpejtë me qëllim që me përmirësu një situatë” – tha tutje Kusari.

Sipas saj këto tema nuk janë shumë atraktive.

“Neve mund të na interesojë siguria kibernetike d.m.th. është një numër shumë i vogël i njerëzve dhe për aq kohë sa s’të afekton ty si qytetar ose nuk po e sheh qysh po të afekton, nuk është shumë interesant. Kur nuk sjell shikueshmëri për publikun, është problem që redaktort me i bind që me bo temë” – shton tutje ajo.