Ilustrim

Aksioni i krimeve kibernetike, arrestohen 10 persona

Një aksion Policisë së Kosovës në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, i nisur në orët e hershme të mëngjesit, deri më tani ka vënë në pranga dhjetë persona të dyshuar.

Të njëjti janë arrestuar nën dyshimin për veprat penale “Hyrje në sistemet kompjuterike” dhe “Lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit”.

Në ketë rast dyshohet se aktualisht janë të dëmtuar katër institucione financiare dhe vlera e dëmit e shkaktuar deri më tani tejkalon shumën prej 400 mijë euro, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, aksioni i zhvilluar në bashkëpunim Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Kibernetike është zhvilluar në 14 lokacione të ndryshme në tërë territorin e Kosovës, dhe atë në Prishtinë, Gjilan, Ferizaj, Kaçanik, Drenas, Suharekë dhe Deçan.

“Me vendim të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar dhjetë persona të dyshuar në kohëzgjatje prej 48 orësh për shkak të dyshimit të bazuar të veprave penale të lartcekura”- thuhet në njoftim.

Tutje është bërë e ditur se nga ky aksion i realizuar janë sekuestruar prova të ndryshme të cilat do të shërbejnë në procedurën penale, si dhe dobi pasurore e përfituar nga veprat penale të lartcekura.