Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Përparim Rama tregon "recetën" e rritjes së numrit të votave në balotazh

Kryetari i zgjedhur për kryetar të  Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se numri i votave në balotazh ka pasur rritje për shkak se njerëzit e ndryshuan qasjen ndaj tij kur panë se një person i ardhur nga jashtë mund të arrijë.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime” tha se në rundin e parë ka pasur shumë kandidatë me qasje të ndryshme.

“Rundi i parë ka qenë i stërmbushur me kandidatë, kemi pasur qasje të ndryshme, ajo që ka ndryshuar është se njerëzit në rundin e parë nuk kanë besuar se një i ardhur nga jashtë mund të arrijë deri këtu dhe momentin  që kjo gjë është arritur qasja ka ndërruar në total. Pra, përcepcioni ka ndërruar gjatë balotazhit”, tha Rama.

Rama tutje potencoi se ka qenë afër qytetarëve gjatë gjithë kohës, ndërsa kundërkandidati i tij, Arben Vitia, nuk ka pasur kohë për diçka të tillë.

“Duhet të krijosh besim tek qytetarët, unë nga degët e LDK-së kam kërkuar që të bëjnë listë me kërkesa të qytetarëve, unë kam qenë gjatë gjithë kohës pranë qytetarit, kundërkandidati nuk ka qenë aty, nuk ka pasur kohë dhe ka pasur program të mangët”, shtoi Rama.

Përparim Rama theksoi se strategjia e kundërkandidatit për ta përdorur Qeverinë për vota ka qenë totalisht e gabueshme dhe i ka humbur besimin e qytetarëve.

Ai shtoi se kjo e ka bërë atë të jetë më konfrontues, sepse Qeveria është dashur të jetë në shërbim të gjithëve e jo vetëm për një parti.

Përparim Rama, në rrethin e parë mori 25 mijë e 252 vota apo 29,17% të votave, derisa në balotazh ka pasur rritje rreth 15 mijë vota më shumë në 40 mijë e 659  apo 51,07%.