Trupi gjykues i njërit prej grupeve politike të viteve të 80-ta, Foto: Ilaz Bylykbashi

Rrëfimi i fotoreporterit Ilaz Bylykbashi për gjykatësit shqiptarë në kohën e regjimit serb

Fotoreporteri Ilaz Bylykbashi ka rrëfyer për gjykimet që ndodhnin gjatë viteve 80-a dhe 90-a.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime” ka treguar edhe për reagimet e gjykatësve shqiptarë kur dënoheshin shqiptarët në kohën e regjimit serb.

“Unë për veti me pas qenë se kisha leju më me dalë. Ne sa herë kemi dalë në pauzë nga këto gjykime, e kam ndërruar këmishën sepse ka qenë mundim i madh” – tha Bylykbashi.

Ai ka thënë se gjyqtarët kryesorë kanë qenë shumë të përmbajtur ndërsa shtoi se edhe të burgosurit kur u kumtohej dënimi, secili ka qenë me kokën lartë.

“As krytë s’e kanë ulë, kanë qëndruar stoikë të burgosurit edhe kur kanë qenë para gjykimit. Qëndrimi i tyre ka qenë i papërkulur dhe mendoj se ishte me çu një mesazh te popullata qëndrimin e tyre” – tha Bylykbashi.

“Sa kam dëgjuar, një kryetar i gjykatës që ka qenë përpara, ka vazhduar punën edhe pas luftës” – tha Bylykbashi për gjykimet e paraluftës ndaj shqiptarëve.

Ilaz Bylykbashi është fotoreporter i cili ka dokumentuar përmes fotografive ngjarje të ndryshme në Kosovë që nga fundi i viteve të ’70-a.

Ndryshe fotoreporteri Ilaz Bylykbashi kishte filluar punën si fotoreporter fillimisht në ‘Bota e Re’, e më pastaj kishte vazhduar më shumë se dy dekada në gazetën ‘Rilindja’.

Ndërsa në vitin 1996 ai kishte botuar librin ‘Kronikë’, me mbi 5 mijë fotografi që tregojnë historinë e viteve të ’80-‘90-a të Kosovës.