'I kam fotografu çdo kufomë, një nga një' - dokumentimi i masakrës së familjes Jashari
Ilaz Bylykbashi i cili filloi punën si fotoreporter në fund vitet e ’70-a, ka rrëfyer momentin e dokumentimit të masakrës së familjes Jashari përmes fotografive.
Bylykbashi në emisionin “Kallxo Përnime”, ka thënë se atë ditë i kishte realizuar mbi 500 fotografi.
“Na kur i kemi ba fotografitë e masakrës së Jasharajve, ka pas forca policore në çdo cep. Nuk kam ditë më çka është frika. Deri në 7 fotografi të ndryshme i kam bërë të komandantit Adem Jashari. Bacën Shaban e Hamzën i kam njohur më herët” – rrëfen Bylykbashi.
“Kur i kam zhvillu fotografitë e kam parë që i kisha bërë mbi 500 foto të kësaj masakre për nja 45 minuta me thanë. Jena kanë tu fotografu, Xhafer Murtezaj ka qenë udhëheqës i komunës kur mka pa që po du me i shti në çantë aparatat, më tha “lej mos i prek se unë ta bi nesër në Prishtinë”. Secilin trup e kemi fotografu një nga një. Ai [Xhafer] Murtezaj m’ka shpëtu, se me u pas kthy me aparata…..Filmat ja kam dhënë Nekibe Kelmendit dhe Edi Shukriut i kam thënë me i dërgu në “Rilindje” edhe te Foto Nesha me i zhvillu” – vazhdon rrëfimin e tij Bylykbashi.
Ai ka shtuar se ka qenë shumë e vështirë me i fotografu të vrarë personat që i kishte njohur.
“Kam nejt në odën e tyre, mas 7 vjete i kam fotografu të vramë, shumë zor, shumë e ranë”, – rrëfen Bylykbashi me lot në sy.
Më 30.12.1991 ishte kryer sulmi i parë ndaj familjes Jashari, ndërsa sulmin e dytë forcat paramilitare serbe e kanë kryer në muajin janar, 1998.
Më 22.01.1998 forcat serbe e kanë sulmuar familjen Jashari, por edhe kësaj beteje, fëmijët dhe gratë e familjes Jashari i kanë rezistuar.
Megjithatë, në këtë betejë që ka zgjatur afër 30 minuta, të plagosura kanë mbetur Iliriana, vajza e Rifat Jasharit dhe Selvetja, vajza e Hamzë Jasharit.Sulmi i tretë, që ka ndodhur më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 u ka marrë jetën e 55 personave në fshatin Prekaz, 22 prej të cilëve ishin familjarë të ngushtë të Adem Jasharit.
Këtij sulmi i ka mbijetuar vetëm Bashkimi, djali i Rifatit, i cili ia ka dalë që mes datës 5-6 mars të largohej nga rrethina dhe arrin t’i shpëtojë sulmit, si dhe Besarta, vajza e Hamzës, e cila ka parë dhe përjetuar tmerrin derisa ishin duke u vrarë anëtarët e familjes së saj.
Ilaz Bylykbashi është fotoreporter i cili ka dokumentuar përmes fotografive ngjarje të ndryshme në Kosovë që nga fundi i viteve të ’70-a.
Bylykbashi kishte filluar punën si fotoreporter fillimisht në ‘Bota e Re’, e më pastaj kishte vazhduar më shumë se dy dekada në gazetën ‘Rilindja’.
Ndërsa në vitin 1996 ai kishte botuar librin ‘Kronikë’, me mbi 5 mijë fotografi që tregojnë historinë e viteve të ’80-‘90-a të Kosovës.