Masat e dhunshme në gazetën ‘Rilindja’, rrëfehet fotoreporteri Ilaz Bylykbashi

Ilaz Bylykbashi, i cili filloi punën si fotoreporter në fund vitet e ’70-a, ka folur për masat e dhunshme në gazetën ‘Rilindja’, duke thënë që nga viti 1990 kanë filluar këto masa.

Ai në intervistën dhënë për emisionin “Kallxo Përnime”, ka thënë dhuna ndaj gazetarëve ka qenë permanente.

“Më 2 korrik u shpallë deklarata, më 5 korrik masat e dhunshme kanë hy në mjetet e informimit, në televizion, radio e ‘Rilindje’. Unë at ditë kam qenë në Mitrovicë, në fabrikën e baterive, në tri katër fabrika kemi realizuar intervista me punëtorët. Qëllimi i tyre kanë qenë gazetarët, dhuna ndaj gazetarëve kurrë s’është nalë në asnjë moment” – tha Bylykbashi.

Fotoreporteri Bylykbashi ka kujtuar edhe momentin kur iu heqën shkronjat ‘Rilindja’.

“Ata kanë dashur që do gjë ta kolonizojnë d.m.th çdo gjë e bënin në cirilicë edhe emrat kanë qenë ashtu, me ja lanë atje “Rilindja” ja vrajke sytë, këto foto i kam bërë nga larg. At ditë një pjesë u largu një pjesë qëndroi aty. Jemi tubu kemi vendos që do të punojmë dhe kemi arrit me nzjerr gazetën të nesërmën ka qenë në emër të ‘Shkëndia”, “Rilindja”, një kohë është botu në gazetën “Zëri”, është botuar në gazetën “Fjala”.

“Për mua ka qenë Maksut Shehu(kryeredaktor i Rilindjes), më i miri në at kohë. Një njeri që me i mbrojt aq shumë punëtorët si ai s’ka pas. Ka qenë kryeredaktor qysh në vitet e ’80-a” – tha Bylykbashi.

Ai foli edhe për Xhemajl Mustafën dhe Enver Malokun, të cilët në at kohë kanë punuar në Rilindje.

“Xhemajl Mustafa ka punuar në fund të ’80-ave në Rilindje, në at kohë ka qenë redaktor i kulturës. Enver Maloku ka punuar pak në Rilindje pastaj ka shkuar në televizion. Pjesa më e madhe e gazetarëve të kulturës janë përfshi pastaj në politikë”, – thotë Bylykbashi.

Ilaz Bylykbashi është fotoreporter i cili ka dokumentuar përmes fotografive ngjarje të ndryshme në Kosovë që nga fundi i viteve të ’70-a.

Bylykbashi kishte filluar punën si fotoreporter fillimisht në ‘Bota e Re’, e më pastaj kishte vazhduar më shumë se dy dekada në gazetën ‘Rilindja’.

Ndërsa në vitin 1996 ai kishte botuar librin ‘Kronikë’, me mbi 5 mijë fotografi që tregojnë historinë e viteve të ’80-‘90-a të Kosovës.