Shtëpia e familjes Jashari

Si e njohu fotoreporteri Ilaz Bylykbashi familjen Jashari?

Fotoreporteri Ilaz Bylykbashi ka treguar se si është njoftuar me Shaban Jasharin në vitin 1991. Ai në emisionin “Kallxo Përnime” ka rrëfyer takimin me të, si dhe prezencën e Azem Vllasit në odën e Shaban Jasharit.

“Nëntor ’91-n. Azem Vllasi ka shkuar në këtë odë në përvjetorin e minatorëve të Trepçës, tubimet nuk u lejojshin askund edhe këta morën iniciativë disa minatorë të Prekazit dhe thonë që ata e gjejnë vendin dhe sju tregojnë ku” – thotë Bylykbashi.

“Oda e madhe, kur hinëm valla 200 veta kanë qenë aty. Një fjalë më ka mbetur në kokë, pasi që janë ulë ata, bisedat kanë qenë për minatorët dhe Gani Koci më pat thënë ‘që rri me Azem Vllasin ‘gu m’gu se kam mëndu, e di që kanë me më sha krejt, por kur është çështja shqiptare, do të bashkëpunojmë” – rrëfen Bylykbashi.

Fotografia në odën e Jasharajve, shpjegon ai është realizuar në vitin 1991 dhe është botuar në vitin 1996, në librin e tij, ‘Kronikë’.

“Në librin që e kam botuar i kam thënë që dua ta publikoj këtë fotografi të odës, ai ka thënë në rregull vetëm emrin tim ndryshoje. Nuk jam frikësuar që po më ndodh diçka por më tha që botoje por ruaje vetën, bile më tha futja emrin ‘Ismajl’ – rrëfen reporteri Bylykbashi.

“Në 1991, Rifat Jashari ka dalë i plagosur dy, a janë të vrarë se di, po gjuajt i ka”

“Kur kemi shku aty krejt familjet i kishin qitë jashtë, kur kanë hy me i kontrollu, i kanë mbështet për muri banorët e tri lagjeve. Deri ka ardh Fehmi Agani nga Prishtina me delegacion dhe janë liruar. Unë e di që at ditë nga dora e Rifat Jasharit janë plagosur dy polic a janë vrarë a jo se di por gjujt me armë kanë por se di a kanë qenë shqiptar apo serb” – rrëfen Bylykbashi.

“E kam të fotografuar edhe vendin e punës ku ka punuar Adem Jashari”

“E kam të fotografuar edhe vendin e punës ku ka punuar Adem Jashari. Qikjo është shitorja. Ademi ka punuar në dyqan të vetin që i hapshin shqiptarët për me mbajtë familjen” – rrëfen tutje Bylykbashi.

Punëtoria e Adem Jasharit, Foto: Ilaz Bylykbashi

Më 30.12.1991 ishte kryer sulmi i parë ndaj familjes Jashari, ndërsa sulmin e dytë forcat paramilitare serbe e kanë kryer në muajin janar, 1998.

Më 22.01.1998 forcat serbe e kanë sulmuar familjen Jashari, por edhe kësaj beteje, fëmijët dhe gratë e familjes Jashari i kanë rezistuar.

Megjithatë, në këtë betejë që ka zgjatur afër 30 minuta, të plagosura kanë mbetur Iliriana, vajza e Rifat Jasharit dhe Selvetja, vajza e Hamzë Jasharit.

Sulmi i tretë, që ka ndodhur më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 u ka marrë jetën e 55 personave në fshatin Prekaz, 22 prej të cilëve ishin familjarë të ngushtë të Adem Jasharit.

Këtij sulmi i ka mbijetuar vetëm Bashkimi, djali i Rifatit, i cili ia ka dalë që mes datës 5-6 mars të largohej nga rrethina dhe arrin t’i shpëtojë sulmit, si dhe Besarta, vajza e Hamzës, e cila ka parë dhe përjetuar tmerrin derisa ishin duke u vrarë anëtarët e familjes së saj.