Alicia Kearns, Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Dialogu politik Kosovë-Serbi, Kearns: Britania të jetë e zëshme kur kemi mospajtim me BE-në dhe SHBA-në

Deputetja e Britanisë së Madhe, Alicia Kearns, ka thënë se Britania e Madhe duhet të jetë e zëshme ndaj miqve si Bashkimi Evropian e SHBA-të, kur ka mospajtime, përderisa vetë si shtet nuk është pjesë e bisdimeve mes Kosovës dhe Serbisë.

Këtë deklaratë ajo e dha në një intervistë për Kallxo Pernim, kur u pyet se pse vendi i saj nuk po luan rol më aktiv në raport me dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

“Ka opsione që i ka në dispozicion shteti që mund të përdoren si në këto bisedime që i pati Kosova këtë fundjavë. Mund të jesh (si shtet) brenda në dhomë dhe mund të ndikosh në rezultate, ose mund të zgjedhësh të mos të jesh breda (bisedimeve) dhe të ndikosh nga jashtë”- tha ajo.

“Argumenti im për qeverinë angleze, pasi që unë nuk jam anëtare e qeverisë, por është marrë vendimi që (Britania) të mos marrë pjesë në këto bisedime, është që tash pres që ta dëgjoj zërin britanez qartazi. Pres që Britania të jetë e zëshme dhe pres që ne ta bëjmë shumë të qartë si zë nga jashtë kur ne kemi mospajtim me BE-në dhe SHBA-në në qasjen e tyre, kur ne nuk pajtohemi që atë që ata po bëjnë është e drejtë”- shtoi deputetja.

Kearns shtoi se këto vendime i takojnë qeverisë britaneze.

“Ata duhet të vendosin që Britania duhet të paraqesë veten si një zë tjetër kundërshtues, si zë që i sfidon miqtë e saj kur e sheh që miqtë tanë nuk e kanë mirë dhe në anën tjetër. Ai zë kundërshtues çon peshë sepse Kosovës i duhet të ketë zëra të pavarur sepse kur ke një pajtueshmëri masive prej një institucioni ashtu siç është bërë BE-ja dhe SHBA-ja, nuk përfundon gjithmonë me rezultatin më të mirë. Kështu që kemi nevojë për zëra të ndryshëm që të prezantojnë argumentin tjetër në mënyrë që të kemi zgjidhjen më të mirë për gjithë Ballkanin”- u shpreh ajo.

Deputetja Kearns theksoi se është krenare për Britaninë dhe reagimin e saj të shpejtë, pas sulmit terrorist në Banjskë më 24 shtator, nga i cili u vra një polic i Kosovës.

“Unë jam krenare për shpejtësinë me të cilën Britania reagoi, nuk kemi pritur me javë të tëra, brenda 48-72 orëve kemi reaguar duke dërguar ushtarë shtesë për t’i mbrojtur kufijtë e Kosovës. Kjo është detyra jonë. Është detyra jonë si Britani të sigurohemi jo vetëm që Kosova mbijeton, por që Kosova është e suksesshme. Dërgimi i këtyre trupave është një formë për të treguar që jemi të përkushtuar për këtë”- tha ajo për Kallxo Përnime.