Foto: Urim Kransiqi/KALLXO.com

Cila ishte "receta" që përdori Alban Hyseni për ta mposhtur Lutfi Hazirin?

Kandidati i zgjedhur për kryetar të Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka thënë se pavarësisht rezultateve të 17 tetorit, qasja dhe sinqeriteti ndaj qytetarëve, sipas tij, është një ndër arsyet që ka fituar.

Ai ka thënë se që nga fillimi i këtij viti ka filluar vizitat nëpër lagje dhe fshatra të Gjilanit për të kuptuar më afër problemet e qytetarëve.

“Në periudhën kur kemi fillu vizitat, në atë periudhë nuk kam qenë as anëtar i kryesisë se Lëvizjes në Gjilan, por kam qenë vetëm në cilësinë e deputetit. Duke e ditur interesimin tim që të jem kandidat për kryetar të komunës i jam bashku çdo vizite në terren, me ç ‘rast edhe sot e kësaj dite vazhdoj me i pasë në kujtesë, vendet, fshatrat, lagjet e qytetit në të cilin ka probleme e telashe”, tha Hyseni.

Ai ka theksuar se fitorja e rundit të parë të zgjedhjeve kishte ngjallur entuziazëm te të rinjtë e Gjilanit për ta votuar atë.

“Besoj që ka votues të rinj që nuk kanë dalë fare në zgjedhje e që tash janë involvu në procesin zgjedhor, sepse parimisht një pjesë e të rinjve në Gjilan nuk kanë besuar që mund të fitojë Lëvizja Vetëvendosje ose nuk mundem me fitu unë, me ç’rast rundi i parë dhe fitorja e parë e kanë ngjallë njëfarë entuziazmi te të rinjtë”, tha Hyseni.

Tutje ai shtoi se pjesëtarë të Partisë Demokratike të Kosovës të cilët nuk pajtohen me marrëveshjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës mund ta kenë votuar Hysenin, por që fitorja e tij ka qenë më shumë vendim qytetar sesa politik.

“Ka raste që ne i dijmë dhe i kemi të njohur emrat e njerëzve të rëndësishëm brenda PDK-së, tash nuk po flasim për Qemajl Mustafën sepse ai nuk është pjesë e PDK-së zyrtarisht sepse ka dhënë dorëheqje nga të gjitha pozitat që ai mban aty, mirëpo ka pasë eksponentë tjerë brenda PDK-së që janë të rëndësishëm e që e kanë votu Vetëvendosjen. Më shumë është vendim qytetar sesa partiak e politik”, shtoi Hyseni.

Sa i përket fitores në rundin e dytë të zgjedhjeve, Hyseni theksoi se një element që ai kishte shtuar në fushatën zgjedhore ishin rrjetet sociale.

“Në instagram kam filluar që të marr pyetje dhe t’u përgjigjem qytetarëve përmes rrjeteve sociale. Pyetjet që i kemi marrë nga qyetetarë, u jemi përgjigjur gjatë kohës që kemi qenë në makinë. Ka qenë një element i freskët që i ka bërë qytetarët të kuptojnë më tepër që ne po ju kushtojmë rëndësi më të veçantë”, ka thënë Hyseni.

Prezenca në televizion sipas Hysenit ka qenë një element i rëndësishëm për fitoren e tij.

“Vizitat e rregullta në terren, hapësira mediatike dhe aftësia për të përpunuar dhe shfrytëzuar informacionin kundrejt kandidatit është mënyra më e mirë e fitores”, shpjegon Hyseni.

Alban Hyseni në rrethin e parë mori 19 mijë e 57 vota apo 44,71% të votave, derisa në balotazh ka pasur rritje rreth 2 mijë vota më shumë në 21 mijë e 374  apo 51,03%.