Liqeni i Badovcit
Çfarë dëmesh shkaton mangani që është prezent në ujin e Liqenit të Badovcit?
Më 19 tetor, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës njoftoi qytetarët të cilët furnizohen me ujë nga liqeni akumulues i Badovcit, që të mos e përdorin për pije këtë ujë për shkak se nga rezultatet e analizave fiziko-kimike, del se ka vlera të rritura të manganit.
“IKSHPK ka ngritur shkallën e gatishmërisë dhe kontrollit të cilësisë së ujit për pije në zonën e mbulueshmërisë. IKSHPK apelon te qytetaret të cilët furnizohen nga Fabrika e ujit në liqenin e Badovcit që të mos përdoret uji për pije dhe përgatitje të ushqimit deri në njoftimin e rrodhes”- thuhej ndër tjerash në njoftim.
Instituti ka vazhduar me komunikata për të njoftuar qytetarët rreth monitorimit të ujit të pijshëm në liqenin e Badovcit.
“Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) njofton popullatën se është duke vazhduar monitorimi dhe përcjellja në vazhdimësi e cilësisë së ujit në Liqenin akumulues të Badovcit, të destinuar për pije dhe se nuk ka vend për panik.
Analizat e fundit laboratorike tregojnë akoma vlera më të larta se niveli maksimal i lejuar i manganit në ujin e liqenit dhe në rrjetin shpërndarës, sipas standardeve të parapara në Udhëzimin administrativ nr. 10/2021 -Cilësia e Ujit për konsum nga njeriu”- thuhet në komunikatën e së hënës më 6 nëntor 2023.
Në emisionin “Kallxo Përnime”, është diskutuar lidhur me këtë temë.
Burbuqe Nushi nga IKSHPK-ja ka thënë se elementi kimik, ‘mangani’ gjendet çdo kund.
“Është element që gjendet gjithkah, në tokë, ajër, ushqim, ujë etj. Në anën tjetër është element esencial për rritje dhe zhvillim”- tha Nushi.
Nushi ka treguar se çka ka ndikuar në ngritjen e nivelit të këtij elementi kimik në liqenin e Badocit.
“Temperaturat e larta, ose mos ndërrimi i temperaturave në sipërfaqe dhe në fund të liqenit, për këtë arsye ngritët mangani, mangani 4 valent shndërrohet në 2 valent e i cili bëhet i tretshëm dhe nuk vërehet. Çka është më me rendësi në fazat e trajtimit ai kalon pa kurrfarë problemi se është i tretur dhe koncentrimet më të mëdha dalin në ujin e pijshëm. Por për t’u ndalur në filtra ky element duhet të shndërrohet në 4 valent”- tha Nushi.
Ajo shtoi se nuk është hera e parë që kjo po ndodh sidomos në liqenin e Badovcit.
“Kjo ndodh në çdo vit por kurrë kaq gjatë dhe me vlera kaq të mëdha, ne kemi pirë ujë me këtë element por jo me këto vlera. Ne e kemi pi me 0.5”- thotë Nushi.
Ndryshe më 19 tetor, Instituti i Shëndetit Publik ka bërë thirrje për të gjitha zonat të cilat furnizohen me ujë të pijes nga Liqeni i Badovcit, të mos e konsumojnë ujin për pije.
Kjo pasi në bazë të analizave fiziko-kimike të mostrave të ujit nga uji i prodhuar në fabrikën që furnizohet nga liqeni akumulues i Badovcit, ka dalë se ka vlera të rritura të Manganit.
Përmes një komunikate për media ishte bërë e ditur se IKSHPK-ja ka ngritur shkallën e gatishmërisë dhe kontrollit të cilësisë së ujit për pije në zonën e mbulueshmërisë.
“IKSHPK-ja apelon te qytetarët të cilët furnizohen nga fabrika e ujit në liqenin e Badovcit që të mos përdoret uji për pije dhe përgatitje të ushqimit deri në njoftimin e radhës”- thuhej në njoftim.
Burbuqe Nushi nga IKSHPK-ja, ka thënë se vlerat e lejuara juridike të manganit janë 005 miligram për litër. Ajo shtoi se kjo vlerë është e cekur edhe në Udhëzimin Administrativ, i cili është bërë sipas direktivave europiane të ujit.
“Edhe organizata Botërore e Shëndetësisë edhe EPA, të gjithë ata që merren me këto punë, hulumtime prej të cilëve mësojmë edhe i bëjmë rregulloret tona. Ata i kanë dy grupe të standardeve, 03 miligram mangan për litër deri në 04 miligram për litër është standard i cili nuk guxon me u tejkalu se deri këtu nuk ndikon në shëndet. Nuk ka ndonjë shqetësim shëndetësor”- tha Nushi.
Ajo shpjegon se vlera 005 që është gjithandej në botë është estetike sepse sipas saj kur ngritën vlerat e manganit e ndërron ngjyrën dhe shijen.
“Javën e kaluar ka filluar të ngritet vlera e manganit në liqenin e Badovcit prandaj IKSHPK-ja ka reaguar. Po du me ju thënë qytetareve që nuk ka nevojë për panik, kujdes më të shtuar po por jo për panik”- thotë Nushi.
Ajo ka shtuar se me këtë ujë, me këto vlera të manganit mund të përdoret uji por jo edhe për pije apo të vlohet.
“Kur përgatit ushqim nuk shkon më shumë se gjysmë litre ujë apo eventualisht një litër ujë, mirëpo uji nuk guxon të vlohet se qytetarët e tonë janë mësuar që uji kur ka telashe, diçka të vlohet paraprakisht mu ftoh e pastaj m`u pi. Në këtë rast me mangan nuk guxon kurrsesi të vlohet e të pihet”- tha Nushi.
Më tej Nushi nga IKSHPK ka treguar për dëmet që shkakton elementi kimik, ‘mangan’, në shëndetin e njeriut.
“Vlera e manganit kryesisht ndikojnë në sistemin nervor qendror, në inteligjencë, kujtesë në aftësi të mësimit, tek moshat e rritura ndikojnë në koncentrim. Tërë jetën nëse merr mangan me vlera të shtuara atëherë ka me pas problem fëmija, dmth me u rrit me të”- tha ajo mes tjerash.
“Nëse vlerat e shtuara mbi 1 gram sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, me përdor më shumë se 10 ditë nuk bën sepse ndikon në shëndet jep shenja të parkinsonit”- ka shtuar Nushi
Komuna e Prishtinës: Nuk jemi njoftuar që uji do të ndalet në Prishtinë
Drejtori për Emergjenca në Komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica, ka thënë se as IKShPK-ja e as KRU Prishtina nuk e ka lajmëruar komunën rreth gjendjes së krijuar me mangan në liqenin e Badocit.
Ai në emisionin “Kallxo Përnime”, ka shtuar se kur janë drejtuar qytetarët për informacion në Komunë, ata nuk kanë ditur se çfarë t’u thonë atyre.
“Sa i përket këtij fenomeni neve na kanë zënë në befasi, ne i kemi futur në funksion të gjitha resurset që i kemi për t’u dalë në ndihmë edhe KRU Prishtinës edhe IKShPK-së, por mendoj që në të ardhmen do të duhet të kemi një koordinim shumë më të mirë që edhe kryeqyteti t’i informoj qytetarët dhe të jemi të gatshëm”- tha Fushtica.
Ai shtoi se është dashur që të informohet kryeqyteti para se të dalin rezultatet e analizave.
“Ka mungu një informim i kryeqytetit para se të ndodh kjo, para se të ndalet uji, në mënyrë që ne t`i informojmë qytetarët dhe t’u dalim në ndihmë. Ne nuk kemi autocisterna për ujë të pijshëm”- tha Fushtica.
Ai ndër tjera tha se për vitin e ardhshëm, Komuna e Prishtinës ka planifikuar që të blej autocisterna të ujit të pijshëm.
“Në vitin 2024 kemi paraparë blerjen e këtyre autocisternave në mënyrë që në situata të tilla, por edhe në situata tjera emergjente, të jemi të gatshëm t’i dalim në ndihmë qytetarëve, pasi ata janë duke e pësuar sepse janë duke e blerë ujin e pijes vet”- tha tutje Fushtica.
KRU Prishtina shpjegon se pse nuk është lajmëruar komuna e Prishtinës për ndërprerjen e ujit
“Koha kur ka dalë IKShPK-ja me njoftim për ndërprerje të ujit për pije ka qenë në orët e vona të natës, e në atë kohë ne jemi marrë me mobilizim”- ka shpjeguar kryeshefi i KRU Prishtina, Arsim Fetahu arsyen se pse nuk është njoftuar komuna e Prishtinës
Ai në emisionin “Kallxo Përnime”, ka thënë se paraprakisht kanë qenë 3 laboratorë duke bërë analiza finale për të verifikuar këtë dyshim.
“Dy laboratorë në IKShPK dhe një në KRU Prishtina në mënyrë që të jemi të sigurt për cilësinë e ujit dhe të dalim me rezultat final se si të veprojmë. Pasi janë marr analizat sepse ato marrin një kohë dhe na kanë njoftuar”- tha Fetahu.
Ai ka shtuar se përkundër që është vendosur që uji të ndalohet për pije, ai nuk është ndaluar.
Edhe nga IKSHPK-ja, Burbuqe Nushi, ka thënë se uji nuk guxon të ndalet.
Fetahu ka thënë se përkundër që KRU Prishtina furnizon me ujë 7 komuna, vetëm 20% e komunës së Prishtinës furnizohet me ujë të pijes nga Liqeni i Badovcit.
“Ato që i kemi ndërmarr ne janë kanë masat për me menaxhu situatën, jo me informu, informimin e ka bërë IKShPK-ja dhe ne menjëherë kemi reaguar si KRU, menjëherë e kemi furnizuar QKUK-në me ujë të pijes sepse konsiderohet si institucion i ndjeshëm”- tha ai.
“Liqenet në Kosovë nuk janë pastruar asnjëherë”
Kryeshefi i KRU Prishtina, Arsim Fetahu ka thënë se mënyra e ndërtimit të digës së liqenit të Badovcit në vitet e ’60-a kur edhe u ndërtua ky liqe, ka qenë sipas standardeve të asaj kohe dhe tash është vjetruar.
Ai ka shtuar se niveli i ujit që mund të merret nga ky liqe është i kufizuar.
“Për dallim nga liqeni i Batllavës, i cili i ka tri nivele të caktuara me një distancë nga 7-8 metra njëra me tjetrën, po të kishim këtë mundësi edhe tek liqeni i Badocit momentalisht ne do të merrnim ujin nga nivelet më të larta për arsye se s’do kishim problemin e manganit”- tha Fetahu në Kallxo Përnime.
Fetahu thotë se liqenet asnjëherë nuk janë pastruar.
“Ajo çka është pastruar, mund të themi që në liqenin e Batllavës gjatë këtij viti ka qenë i mbushur plotë dhe ne e kemi vendosur shkarkuesin fundor, i cili pastaj edhe krejt ato mbeturina, bashkë me ujin janë larguar nga liqeni. Mirëpo në kuptimin institucional nuk është bërë asnjëherë një pastrim i liqeneve”- tha ai.
Fetahu gjithashtu ka thënë se mënyra e zgjidhjes së problemit të paktën për një kohë është të ngritet niveli i veprës së marrjes së ujit.
“Nuk është lehtë e realizueshme kjo. Uji nga gypi që merret në liqen jemi t`u provu me ngrit në një nivel më të lartë, nuk bëhet për 1-2 ditë na merr kohë por jemi vetëm si KRU që jemi duke provuar ta zgjidhim dhe besoj e shpresoj që shumë shpejt kemi me e bo”- tha Fetahu.
Edhe Qeveria e Kosovës ishte e njoftuar lidhur me vlerat e shtuara të manganit në ujin e Badovcit.
Afrim Lajçi nga Këshilli ndërministror për ujëra, ka thënë se kanë vendosur së bashku me IKSHPK-në që të ndalohet uji për pije si dhe të njoftohen qytetarët.
“Jemi dakorduar që të njoftohen qytetarët por që mos të krijohet panik, meqenëse nuk ka arsye për panik, mangani në standardet e cilësisë së ujit në Europë por edhe tek ne, në parametër indikator, nuk është parametër obligativ, si i tillë nuk ka impakt direkt në shëndet. IKSHPK-ja ka vendosur që ta ndaloj për pije ujin për shkak të kategorisë së foshnjeve”- tha Lajçi
Planet e Qeverisë për ujin
Lajçi ka thënë se janë disa çështje teknike që do t`i caktoj kompania rajonale e ujësjellësit.
“Kompania e ujësjellësit e ka parasysh çfarë investime teknike duhet me u bo për me zgjidh problemin afatëgjatë ndërkaq në aspektin afatshkurt, problemi zgjidhet me rënien e temperaturave, me rënien e shiut zgjidhet si problem por edhe kështu siç është nuk ka shqetësim shëndetësor”- tha Lajçi.
Arsim Fetahu, kryeshef i KRU Prishtina ka thënë se në listën e prioriteteve e ka vendos çështjen e furnizimit me ujë të pijes nga liqeni i Badovcit.
Lulzim Fushtica, drejtor për Emergjenca në komunën e Prishtinës, ka thënë se kanë filluar ta rrisin numrin e autocisternave dhe autoboteve në mënyrë që të mos hasin më probleme të tilla.
“I kisha sugjeru edhe institucionet e tjera dhe komunat e tjera që të blejnë autobote dhe autocisterna në mënyrë që këto raste mos të përsëriten. KRU Prishtina e ka vetëm një ne nuk e kemi pasur asnjë deri më tani, por vitin e ardhshëm do ta blejmë një që në rast të nevojës, jo vetëm kur të rriten vlerat e manganit por mund të kemi vërshime mund të kemi lloj-lloj rasti, ne të jemi në gatishmëri t`u shërbejmë qytetarëve”- tha Fushtica.
Fushtica ka konfirmuar se kryeqyteti është duke punuar për realizimin e protokollit për siguri.
“Jemi duke punuar në këtë drejtim, fatkeqësisht nuk i kemi të gjitha mjetet as kapacitetet por do t`i kemi në vitet në vijim, por edhe KRU edhe komunat e tjera duhet të investojnë në blerjen e pajisjeve e në infrastrukturë që në raste të tilla të jemi të gatshëm”- tha tutje Fushtica.
Afrim Lajçi nga Këshilli ndërministror për ujëra, ka thënë se pa dashur ta zvogëloj rolin e komunave sa i përket menaxhimit të ujërave, të gjitha kompanitë e ujësjellësit në Kosovë i kanë planet e veta si të veprohet në secilën situatë.
“Sa i përket emergjencave të ujit, apo kur uji komprometohet, kompanitë i kanë saktë planet se si të veprojnë”- tha Lajçi.
Ai ka shtuar se po punohet gjithashtu edhe për planin për sigurinë e ujit.
“Po punohet me kompanitë rajonale për hartimin e planeve të sigurisë së ujit, që është instrument që aplikohet në krejt botën, si instrumenti më i mirë për të garantuar cilësinë e ujit të pijshëm, ku analizohen të gjitha rrisqet e mundshme, në krejt ciklin e furnizimit me ujë dhe planifikohen masat, është një proces që e kemi filluar me IKSHPK-në me zbatu me të gjitha KRU-të. Proces ky që identifikon të gjitha rrisqet që e rrezikojnë furnizimin me ujë të pijes dhe me i parapa masat që duhet me u zbatu”- tha Lajçi.
Lajçi ka treguar që është themeluar komisioni për cilësinë e ujit të pijshëm që është i kërkuar edhe me udhëzimin administrativ për ujin.
“Ky komision do të prodhoj udhëzues që afati është deri në fund të vitit 2025 sepse është një punë goxha voluminoze dhe kërkuese në kuptim të kohës dhe kapaciteteve. Pra deri në 2025 të gjitha KRU-të kanë me bo planin e sigurisë së ujit”- tha tutje Lajçi.
Çfarë ndodhi në të vërtet në komunën e Deçanit ku shumë qytetarë kërkuan ndihmë mjekësore si pasojë e helmimit nga uji i pijes në verën e vitit 2021?
Burbuqe Nushi nga IKSHPK-ja, ka thënë në “Kallxo Përnime”, se në Deçan ka pasur kontaminim bakteror të ujit të pijes.
“Ose më mirë me thanë nuk ka pasur dezinfektim. Dezinfektimi e lufton ndotjen e ujit”- tha Nushi.
Ajo ka shtuar se nuk është e vërtet ajo që kanë raportuar mediat se uji është helmuar.
“Në vend që mediat me qenë aleatët tanë që po tentojmë me bo diçka ata shkojnë e shpërndajnë dezinformata. Pra teori konspirative. Për rastin e ujit nuk është arrestuar askush por për diçka tjetër u patën arrestu ata. Se kemi qenë tërë kohës aty”- tha Nushi.
Nushi ka sqaruar se të njëjtin problem si të Deçanit e ka pasur edhe komuna e Kaçanikut.
“Këto probleme ndodhin edhe natyralisht sepse uji është medium që ec, ose për shkak të mosmenaxhimit që në këtë rast po them që ka qenë menaxhim i keq, edhe në Deçan edhe në Kaçanik edhe në Han të Elezit. Që dmth nuk është bërë pastrimi i rezervuarëve, nuk është bërë dezinfektimi me kohë, nuk është bërë mirëmbajtja e rrjetit, ndërsa kompania e ka marr përgjegjësinë”- tha Nushi
Helmimet nga uji në Deçan, ngritet aktakuzë ndaj dy zyrtarëve të “Hidrodrini” në Pejë