Helmimet nga uji në Deçan, ngritet aktakuzë ndaj dy zyrtarëve të “Hidrodrini” në Pejë

Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj dy zyrtarëve të kompanisë së ujësjellësit “Hidrodrini” në Pejë, në lidhje me dyshimet për helmimet që kanë ndodhur nga uji, vitin e kaluar në Deçan.

Në muajin korrik të vitit të kaluar, më shumë se 1,500 persona nga fshatra të Deçanit dyshohet se u helmuan nga uji i pijes.

“Ju njoftoj se pas një hetimi intensiv disa mujor në çështjen penale që ka të bëje me helmimet e 1,500 qytetarëve të Komunës së Deçanit dhe fshatrave përreth ngritet aktakuzë kundër dy zyrtarëve të ‘Hidororini’ në Pejë, drejtorit të departamentit përkatës për vepër penale shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, mosevitimi i rrezikut”, tha prokurori Dorjan Juniku në një konferencë për media.

Prokurori ka shtuar se 872 qytetarë kanë pas simptoma për helmim nga uji i pijshëm.

Prokurori tha se uji ka pas bakterie dhe nuk ka pas testime ose testime shumë të pakta të kontrollit të ujit.

Ai ka theksuar se dy zyrtarët serbë që ishin dyshuar në fillim, ka rezultuar se të njëjtit nuk janë të përfshirë në rastin në fjalë.