AGK nuk beson që organet e rendit do t'i zbulojnë sulmuesit e gazetarëve

Xhemajl Rexha nga Asociacioni i gazetarëve të Kosovës ka thënë se nuk shpreson që organet e drejtësisë do t’i zgjidhin rastet e sulmeve ndaj gazetarëve.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime” ka shtuar se raste të sulmeve ndaj gazetarëve sikur këto të ditëve të fundit në veri të vendit ka pasur edhe në të kaluarën, por të njëjtat nuk janë zgjidhur ende.

“Nuk ma merr mendja që do të kenë rezultate hetimet që po bëhen nga Prokuroria e Mitrovicës, sepse kemi parë edhe në të kaluarën që sulmet e tilla ndaj gazetarëve janë bërë në atë pjesë të vendit e nuk janë zbuluar asnjëherë” – ka thënë Rexha.

Ai më tej ka përmendur rastin e barrikadave në veri, ku tha se ka pasur së paku tre sulme ndaj gazetarëve atë kohë.

“Rasti i barrikadave që zgjati rreth 3 javë, ka pasur së paku 3 sulme ndaj gazetarëve, dy prej tyre janë bërë ndaj ekipeve të Klan Kosovës, të cilët janë gjuajtur me gurë nga persona të maskuar dhe pastaj e dimë edhe sulmin me gurë në veturën në lëvizje të po këtij ekipi dhe ne nuk kemi marrë asnjëherë asnjë informacion nga organet e rendit” – tha tutje ai

https://kallxo.com/lajm/situata-ne-veri-vazhdojne-protestat/