Gashi: Sulmet ndaj gazetarëve ia zgjasin narrativën kryeministrit Kurti

Kreshnik Gashi nga KALLXO.com ka thënë se çdo sulm ndaj gazetarëve në veri të vendit e bën më të fortë kryeministrin Albin Kurti në narrativen e tij.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime”, ka shtuar se këto sulme ia ofrojnë mundësinë kryeministrit të zgjas edhe më shumë prezencën e njësive speciale në veri.

“…..hala ma shumë narrativen e tij që këta njerëz po dojnë me i sulmu gazetarët, s’po dojnë me i lanë, janë terrorist, janë milici etj. Por nëse i lënë gazetarët të qetë, qysh janë duke e lënë KFOR-in e qetë, ata njerëz edhe mund ta fitojnë betejën e tyre, të cilën e kanë me komunën, kryetarin e komunës” – tha Gashi.

Ai shtoi se banorët në pjesën veriore të vendit kanë fobi kolektive nga mediat. Gashi në “Kallxo Përnime’’, tha se atje banorët janë njësoj siç kanë qenë kosovarët në vitin 1999.

“Kam tentu me ju thanë njerëzve atje që kemi qenë në gjendjen e juaj, e dimë çka është me na u nal fjala, por sot e kemi punën shumë më mirë sepse sot dalim flasim lirshëm sepse kjo është demokracia, pra si ndodh në Prishtinë të ndodh edhe në pjesën veriore të Kosovës” – tha Gashi.

Më 16 qershor, nëntë gazetarë në Leposaviq janë sulmuar dhe se disa prej tyre kanë pësuar edhe lëndime të ndryshme trupore, si dhe kanë pranuar tretman mjekësor

Sipas Policisë, ekipeve të mediave iu janë dëmtuar pajisje të ndryshme të xhirimeve, ku njërit prej tyre iu është grabitur kamera zyrtare e mediumit, përderisa tjetrit, thuhet se iu është grabitur një telefon celular.