Krstiq: Kurti me politikat e tij i ka bërë bashkë të gjithë serbët, edhe ata që ishin kundër politikave të Beogradit

Gazetari nga Mitrovica, Branisllav Krstiq ka thënë se Qeveria Kurti, e ka pasur një sukses të madh në veri të vendit, e ai sipas tij është bashkimi i serbëve, edhe ata që ishin deri dje, kundër politikave të Beogradit.

Ai në “Kallxo Përnime”, ka shtuar se edhe personat të cilët ishin kundër Listës Serbe, sot janë bërë bashkë.

“Falë politikave të gabuara, arrestimeve, vendimeve të njëanshme të qeverisë Kurti, targat me zor, zgjedhjet e imponuara, pushtetin me zor, ka bërë që të bëhen të gjithë bashkë edhe ata që ishin kundër listës serbe” – tha Krstiq.

Ai shtoi se serbët lokal të asaj zone nuk informohen nga gazetarët nga Prishtina.

“Serbët të cilët janë nëpër protesta në bazë ditore të cilët janë të shantazhuar nga Lista Serbe, por ka edhe të tillë që vullnetarisht kanë ardh atje, këta serb e dinë që kolegt e tanë nga Prishtina, nuk marrin seriozisht do mesazhe nga protestuesit të cilët thonë të mos i xhirojnë në disa momente të caktuara. Dmth janë disa paralajmërime, jo kërcënime që këta nuk i marrin për bazë, disa nga kolegët” – tha ai.

Më 16 qershor, nëntë gazetarë në Leposaviq janë sulmuar dhe se disa prej tyre kanë pësuar edhe lëndime të ndryshme trupore, si dhe kanë pranuar tretman mjekësor

Sipas Policisë, ekipeve të mediave iu janë dëmtuar pajisje të ndryshme të xhirimeve, ku njërit prej tyre iu është grabitur kamera zyrtare e mediumit, përderisa tjetrit, thuhet se iu është grabitur një telefon celular.